PODGORICË- Kryeministri Sali Berisha duke i cilësuar ekstremizmat, klithma të së shkuarës që nuk e do më askush, ka këmbëngulur në ruajtjen e stabilitetit në një rajon që synon bashkëjetesën në familjen evropiane.
Deklarata është bërë sot në Podgoricë, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e Malit të Zi, Igor Lukšić.
“Zërat e ekstremistëve ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush. E vërteta është që popujt tanë dhe vendet tona kanë përkushtimin më të madh për integrimin në Bashkimin Evropian”- ka thënë Berisha.
Sipas tij Bashkimi Evropian ka faktuar se është një komunitet apo është një rend, i cili bazohet, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në liritë dhe të drejtat e individit, në respektim të të gjitha diversiteteve dhe sensitiviteteve në hapësirën e tij. “Në këtë kontekst, gjithnjë e më shumë ideali kombëtar bëhet ose barazohet me idealin evropian”- theksoi Berisha.
Ndërkohë kryeministri malazez deklaroi se ajo që qeveria e tij po mundohet të bëjë është të shohë në marrëdhëniet ndërmjet Malit të Zi dhe Shqipërisë një bashkëpunim të mirë, një politikë plotësisht evropiane, që mund të shërbejë si shembull edhe më gjerë. “Kjo amortizon plotësisht çdo lloj qëndrimi që mund të jetë nacionalist apo ekstrem”- tha ai.
Pas takimit, në praninë e të dy Kryeministrave, u nënshkrua Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Malit të Zi, “Për përcaktimin e pikës së përbashkët të kalimit kufitar “Zatrijebacka Cijevna – Grabon” dhe për pikën e kalimit kufitar “Cerem – Vranica”. Për palën shqiptare marrëveshja u nënshkrua nga ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Mal të zi z. Tonin Beci dhe për palën malazeze u nënshkrua nga ambasadori i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë z. Željko Perović.
© Panorama.al











