
Hapet 6 muaj para afatit tuneli i autostradës.
“Zotohem se në gjysmën e parë të vitit 2013, Tirana dhe Elbasani do të bashkohen”
Kryeministri Sali Berisha ka shembur dje murin e tunelit të Kërrabës, gjatë inaugurimit të një prej investimeve më të rëndësishme të rru-gës Tiranë-Elbasan. Kreu i qeverisë ka qenë protagonisti kryesor i hapjes së murit të tunelit, duke bashkuar kryeqytetin me qytetin e Elbasanit. Berisha ka marrë komandën e fadromës, duke goditur murin ndarës, ashtu si gjatë inaugurimit të tunelit të Kalimashit. Por, kësaj here dendësia e betonit ka qenë më e madhe dhe nuk është mundur të rrëzohej me goditjen e parë të makinerisë që manovrohej nga Kryeministri. Më pas, Kryeministri Berisha, ministri Sokol Olldashi dhe deputetët demokratë, të pranishëm brenda tunelit, kanë pritur pak minuta që rruga të “çelej” nga punonjësi i kompanisë “AKTOR”. Nga ana tjetër e tunelit ishin në pritje deputetët e Partisë Demokratike të qytetit të Elbasanit dhe qytetarë të ndryshëm. Nga dalja e dritës dhe çarja e këtij muri ndarës, Kryeministri është takuar me

qytetarët dhe deputetët që prisnin nga ana tjetër e tunelit, duke festuar dhe ngritur lart dy gishtat, simbolin e PD-së. Më tej, kreu i maxhorancës, pas rrëzimit të murit, zhvilloi një tjetër takim jashtë ambienteve të tunelit, ku ishin në pritje qytetarë dhe deputetë. Në podiumin e improvizuar në hyrje të tunelit, Kryeministri Berisha ka lexuar dhe një mesazh të dërguar në celularin e tij nga një zonjë. “Do t’ju lexoj këtu, si një akt nderimi për çdo qytetar shqiptar, mesazhin e një zonje këtë mëngjes, sesi e ndien ajo gëzimin e kësaj dite. ‘Legjendat për njerëzit që përshkojnë malet, po bëhen një realitet i zakonshëm. Ditë emocionuese, kam edhe vajzën inxhiniere te tuneli”. Unë, edhe në emrin tuaj, dua t’i përcjell kësaj zonje urimet më të përzemërta, kënaqësinë time, që e ndaj me të gëzimin e kësaj dite. Të përgëzoj vajzën e saj për punën e shkëlqyer dhe me përkushtim që ka bërë dhe bën në këtë autostradë jetike për zhvillime e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, tha Berisha. Para të pranishmëve, Berisha u zotua se autostrada Tiranë–Elbasan do të jetë gati në gjysmën e parë të vitit 2013. “Tuneli dhe rruga përbëjnë, pas Rrugës së Kombit, veprën e dytë më madhore që ndërtohet në Shqipëri. Unë jam këtu për t’u zotuar para jush, se në gjysmën e parë të vitit 2013, Tirana dhe Elbasani do të bashkohen përjetësisht njëri me tjetrin”, theksoi kreu i maxhorancës.
Akuzat
Kryeministri, gjatë fjalës së tij, nuk ka lënë pa shigjetuar dhe kryetarin e opozitës, Edi Rama, duke kërkuar prej tij që të lejojë deputetët e majtë që vizitojnë tunelin e Kërrabës. “Unë jam këtu për t’i bërë thirrje kryetarit të Partisë Socialiste: Mos i pengo deputetët e tu të vizitojnë tunelin dhe autostradën, siç po bën me Rrugën e Kombit, së dyti, kërkojuni të falur publikisht qytetarëve të Elbasanit, Tiranës, Gramshit, Librazhdit, Korçës, Pogradecit, Bilishtit dhe Kolonjës, sepse vota juaj kundër fondeve të tunelit nxin dhe do të nxijë si zift i vërtetë në analet dhe arkivat e Parlamentit shqiptar, ndaj dhe kërkoni ndjesë”, tha Berisha.
Tuneli i Kerrabes
. 101 milionë dollarë kushtuan punimet për ndërtimin e tunelin e Kërrabës, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim.. 2.4 kilometra është gjatësia e tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan
. Tuneli ka një gjerësi prej 8 metrash dhe një lartësi prej 5 metrash.
. Tuneli përbëhet nga dy tuba dhe dy korsi për kalimin e automjeteve.
. Në total janë gërmuar 470 000 m3 shkëmb dhe janë realizuar 60% e punimeve fizike.
. Kanë filluar punimet e metrave të parë të betonimit të tunelit, për të vazhduar më pas me punimet elektro-mekanike të tij.
. Për hapjen e tunelit të Kërrabës u deshën 9 muaj punë intensive 24 orë.
. Tuneli i Kërrabës ndodhet rreth 13 km larg qytetit të Tiranës dhe rreth 10 km larg qytetit të Elbasanit.
. Përfundimi i tunelit të Kërrabës shkurton distancën mes Tiranës dhe Elbasanit në 29.7 kilometra, duke e përshkruar atë vetëm në 18 minuta.
FATION BINJAKU
© Panorama.al











