
Konferenca e “British Council: Gjuha angleze e sistemi arsimor, mundësi e re.
Ambasadori Cannon: IELTS, sistem kyç për testimet.
Konferenca “Gjuha angleze dhe sistemi arsimor – një mundësi e re”, e organizuar nga “British Council”, i ka shërbyer Kryeministrit Sali Berisha të shprehë synimin e qeverisë për ta kthyer anglishten në gjuhën e huaj kryesore që mësohet në bankat e shkollës. Gjatë fjalës së tij në këtë aktivitet, kreu i qeverisë vlerësoi mes të tjerash rolin që ka luajtur “British Council” gjatë këtyre viteve për ta kthyer anglishten në gjuhën e dytë pas shqipes. “Dua të përshëndes përzemërsisht organizatorët e kësaj konference, të falënderoj me shumë mirënjohje “British Council”, Ambasadën e Britanisë së Madhe, për mbështetjen e rëndësishme që i kanë dhënë e japim Shqipërisë, në përpjekjen e saj për ta shndërruar gjuhën angleze në gjuhën e dytë, pas gjuhës shqipe, për të gjithë fëmijët shqiptarë, për të shndërruar anglishten në gjuhën e huaj të parë dhe sa me shpejt të jetë e mundur”, tha Berisha. Nga ana tjetër, Kryeministri u shpreh se IELTS dhe TOEFL janë teste që janë miratuar për studentët shqiptarë në universitetet në vend, dhe si të tillë duhet që të shihen edhe në aspektin e lehtësimit të tarifave. “Në kushtet e tregut, nuk ka asgjë pa një çmim, por duhet të përpiqemi t’ia lehtësojmë sa më shumë atë studentëve, të gjejmë mënyrat sesi testi i “British Council”, TOEFL, apo teste të tjera të miratuara nga ju të jenë sa më lehtë të përballueshme nga studentët tanë”, tha Berisha. Në fjalën e tij, edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Cannon, vlerësoi rolin që ka pasur “British Council” në Shqipëri dhe më gjerë në vendet ku operon. “Më shumë se 700 kandidatë çdo vit zgjedhin Këshillin Britanik për të testuar anglishten e tyre nëpërmjet “International English Testing System”. Ndërsa universitetet shqiptare zgjedhin këtë sistem për të testuar anglishten e studentëve që kryejnë masterin. Ky është një test që përdoret nga 7 mijë organizata në të gjithë botën”, u shpreh Cannon.
© Panorama.alÇfarë ofron “British Council”
Për universitetet
1. IELTS ju ofron universiteteve shqiptare një standard të certifikuar dhe të njohur tashmë nga mbi 7000 institucione arsimore, qeveritare dhe kompani në të gjithë botën dhe mundësi për të bashkëpunuar me një organizatë lider në fushën e mësimdhënies dhe zhvillimit të gjuhës angleze.
Për studentët
2. Për studentet, IELTS lehtëson procesin e përgatitjes duke ofruar materiale përgatitore falas, kohë të shkurtër në marrjen e rezultateve dhe mundësi për të pasur një kualifikim të cilësisë superiore që rrit mundësitë për punësim apo studim.











