Berisha: “Viktimat mund të jenë nga plumba rikoshetë të Gardës”

Jan 20, 2012 | 10:35

Kryeministri përballë analistit Bugajski

Berisha: Rama priste për një fjalim ngaballkoni i zyrës sime

“Viktimat më 21 janar s’u shkaktuan nga policia, mund të kenë qenë plumba rikoshetë nga Garda”

Kryeministri Sali Berisha tha mbrëmë në emisionin “Bugajski hour”, të politologut Janush Bugajski në “AS”, se në 21 janarin e një viti më parë, kundërshtari i tij politik, Edi Rama, ishte përgatitur të mbante fjalim nga ballkoni i godinës së qeverisë.
Duke iu rikthyer atyre ngjarjeve, kreu i maxhorancës u shpreh se hetimi i drejtësisë do të jetë ai që do të vendosë nëse ajo ishte një përpjekje e organizuar. Ai theksoi se do të largohet nga politika kur shqiptarët të mos e votojnë më.
21 vjet pas këtyre ngjarjeve dramatike, disa prej të cilave i pamë në ekran, a ka Shqipëria ende bunkerë që duhen larguar? A ka ende pengesa që nuk e lejojnë Shqipërinë të bëhet pjesë e komunitetit global dhe atij europian?
Mendoj se 20 vjet më vonë, ky vend është 21 vite dritë larg nga ajo kohë. Asnjë vend nuk ka ndryshuar kaq shumë. Në të njëjtën kohë, kjo nuk është aspak e lehtë. Është një udhëtim shumë i vështirë. Ka shumë probleme që duhen trajtuar. Por unë nuk mendoj se tani gjërat drejtohen nga “psikologjia bunker”. Duhet të keni parasysh se shqiptarët janë njerëz mjaft të fortë falë modelit të tyre psikologjik. Kjo është studiuar nga shkencëtarët dhe studiuesit më të mëdhenj të psikologjisë. Jo çdo gjë mund t’i adresohet kohës së bunkerëve. Kur shoh energjinë shpërthyese të këtij kombi, më mbetet shumë pak lidhje me të shkuarën.
Kam dy pyetje specifike për ju, z. Kryeministër. A mendoni se ngjarjet e vitit të kaluar ishin një përpjekje për një grusht shteti dhe një përpjekje për të dëmtuar procesin e demokratizimit? Së dyti, mua më duket sikur shumë politikanë përqendrohen më shumë te politika partizane, sesa te interesat e Shqipërisë. Si do ta komentonit këtë?

Nga protesta e 21 janarit

Njësoj si në pyetjen e parë, më 21 janar ndërtesa e Këshillit të Ministrave u rrethua në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës nga një grup njerëzish, të cilët s’kishin aspak lidhje me protestuesit. Ata e sulmuan ndërtesën në shumë mënyra, ndërkohë që Kryeministri ishte në një ditë të zakonshme pune. Përballë tij, lideri i opozitës ngriti shtabin e tij. Ai priste për një fjalim nga ballkoni i zyrës sime. Kjo është e vërteta, dhe e gjithë bota e pa këtë. Nëse ishte apo jo një përpjekje e organizuar, do ta vendosë një hetim i detajuar mbi këtë çështje pasi të jenë qartësuar të gjitha detajet. Por, diçka është e sigurt, ata nuk sollën lule në zyrën time. Pavarësisht kësaj, unë s’do të largohesha kurrë nga zyra. Këto ishin rrethanat… Pati katër viktima dhe asnjë prej tyre nuk u shkaktua nga policia. Jo! Kjo është një provë e pastër si kristal. Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshetë të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte. Kjo është e vërteta për këtë çështje. Le të vazhdojë hetimi. Brenda një viti askush s’është deklaruar përgjegjës për organizimin e këtij sulmi. Brenda një viti shqiptarët thuajse s’dinë asgjë, dhe ata po presin ende. Ky hetim është absolutisht shumë i rëndësishëm dhe jetësor. Dhe ai do të realizohet. Siç e dini, demokracia ka dobësitë e saj, por ajo funksionon. Mund të ketë pengesa, por pastaj ecën përpara. E tillë është edhe në Shqipëri.
Pjesa e dytë e pyetjes sime lidhet me politikën partizane, të cilën shumë njerëz në Europë dhe Amerikë e shohin si një tipar regresiv.
Mendoj se ky është një ekzagjerim. Pse? Është e vërtetë që politika është partizane dhe shpesh abuzohet me konsensusin. Politika nënkupton bashkëpunim dhe mungesa e tij do të ishte shkatërrimtare për një komb. Në Shqipëri, pavarësisht gjithçkaje që mund të them kundër rivalit tim, s’mund të them se ai është antieuropian. Jo! Ai është proeuropian dhe Partia Socialiste është proeuropiane. Z. Rama është i bindur se duke bllokuar procesin e statusit për Shqipërinë, gjë që po e dëmton Shqipërinë, po i shkakton një dëm të jashtëzakonshëm qeverisë. Për këtë arsye, për herë të parë në historinë e vendit, ai nuk votoi ligjet që kërkonin tre të pestat e votave. Por unë u tregova i duruar. Thashë se do të jenë shqiptarët ata që do ta zgjidhin këtë  çështje. Jam plotësisht i bindur se kombi im i ka të gjitha potencialet për ta zgjidhur. Pastaj erdhën zgjedhjet lokale. Shqiptarët votuan. Ata i thanë zotit Rama se po gabon që po i pengon. Ne nuk e pranojmë këtë. Ata i treguan atij një ndër humbjet më të rënda në rang kombëtar. E njëjta gjë vlen edhe për Tiranën, edhe pse rezultati ishte shumë i ngushtë. Por, kur çdo votë u tregua në pesë kamera të ndryshme, Rama mbeti 91 vota mbrapa në garën për kryetar bashkie. Ndërkohë, në garat e tjera ishte më shumë se 10 mijë vota mbrapa. Fatmirësisht ai e mori mësimin. Ai pranoi ekzaktësisht atë që i kisha ofruar gjatë dy viteve. Ai pranoi. Dhe jam i lumtur që ai pranoi. Jam mjaft i gatshëm të bashkëpunoj me Partinë Socialiste.
A mund të bashkëpunoni tani në Parlament për këto ligje të rëndësishme?
Në çdo moment. Në politikë, mendimet personale s’kanë rëndësi. Në karrierën time politike kam realizuar reformat më të mëdha dhe më të thella që janë bërë në këtë vend. Por ai u pendua. Unë thashë se duhet ta shpëtojmë vendin së bashku me ta. Kjo është ajo që ne mendojmë. Jam i hapur për të punuar me ta, dhe jam optimist për këtë.
Pra, anëtarësimi i Shqipërisë në BE është shumë më i rëndësishëm sesa çdo pozicion politik?
Pa dyshim. Integrimi në BE është projekti më i rëndësishëm i këtij shekulli, pas integrimit në NATO. Qeveria është e gatshme të kryejë çdo reformë për të arritur normat, standardet dhe kriteret, të cilat në fund do ta bëjnë këtë popull më të lirë,  më të begatë, më të sigurt.
A mund të më thoni se cili është niveli i korrupsionit në këtë vend? A ndodh që shumë zyrtarë i konsiderojnë postet qeveritare si një mundësi për të fituar para, ndryshe nga shërbimi publik? Dhe pse shumica e shqiptarëve mendojnë se liderët politikë janë të korruptuar? Si do t’ju përgjigjeshit këtyre pyetjeve?
Nëse më pyesni a ka korrupsion, do të përgjigjesha: po. A është korrupsioni një problem serioz? Po, korrupsioni është një problem serioz. Por, si është situata aktuale? Situata aktuale bazohet në sondazhe mjaft serioze, në zgjedhje të pavarura. Është shumë ndryshe nga ç’përshkruhet. Kjo është e para. E dyta, ka të dhëna që ky vend është i vetmi që brenda 6 vjetësh ka mbledhur më shumë se 7 miliardë dollarë si të ardhura nga dogana dhe taksat. Burimi më i madh i korrupsionit janë dogana dhe taksat. Nëse korrupsioni është atje ku janë paratë… Marrim rastin e prokurimeve. Në vitin 2006, Shqipëria kishte nivelin më të ulët të ICT-së. Tre vjet më vonë u bë vendi i parë në botë ku 100% e prokurimeve kryheshin përmes internetit. Kjo e gjashtëfishoi pjesëmarrjen në këtë garë dhe zvogëloi me 27% koston e përgjithshme të prokurimeve. Sipas meje, korrupsioni është një sëmundje gjenetike e qenieve njerëzore. Dua të them se njerëzit janë lakmitarë. Ata duhen ruajtur se mos rrëshqasin… Reformat janë jetësore për të parandaluar korrupsionin. Javën e kaluar ne u bëmë një nga qeveritë e pakta në botë që publikuam në internet çdo shpenzim nga Thesari i Shtetit. Në fund të këtij viti, me siguri ky do të jetë vendi më i privatizuar mbi tokë. Do të kemi shkolla dhe spitale… Kjo do të arrihet përmes privatizimit. Luftojmë korrupsionin në sektorin publik. Përbri kësaj, vetëm vitin e kaluar, 120 zyrtarë të niveleve të ndryshme u vendosën përpara drejtësisë për korrupsion. Gjithsesi, ka ende korrupsion. Por gjithashtu po luftohet shumë kundër tij.
Pra, s’ka imunitet politik nëse dikush mban një post zyrtar?
Problemi qëndron se… nëse ka një armik në luftën kundër korrupsionit, ai është politizimi. Së dyti, s’duhet ta shohësh korrupsionin te të tjerët, por duhet të shohësh korrupsionin në shtëpinë tënde. Shpesh, kur jam me kolegët e mi, ata shqetësohen
kur SHBA dhe vendet e tjera na akuzojnë për korrupsion. Unë u them që e kanë gabim. Nëse ka korrupsion, ata bëjnë mirë ta dënojnë. Korrupsioni duhet luftuar në mënyrë të vazhdueshme, sepse në fund ai është burimi i çdo të keqeje në vend.
Pavarësisht këtij rasti të veçantë, a mund të thoni se qeveria po drejton një fushatë frytdhënëse kundër korrupsionit, apo ajo është ende në fazat e para të kësaj fushate? Çfarë mendoni se duhet bërë tjetër?
Sigurisht, kjo është një fushatë e konsoliduar kundër korrupsionit. Janë bërë disa hapa, si për shembull: heqja e imunitetit të gjyqtarëve, deputetëve dhe gjithë të tjerëve. Asnjë zyrtar s’ka të drejtë ta konsiderojë veten imun ndaj krimit dhe korrupsionit. Ofruam një praktikë të miratuar në Bundestag, e cila në këtë rast është e njëanshme. I kërkuam Këshillit të Lartë të Drejtësisë ta miratonte, por kërkesa jonë u refuzua nga presidenti aktual. Me siguri, presidenti tjetër do ta pranojë. Do të këmbëngulim në luftën tonë kundër korrupsionit. Jemi më të angazhuar se kurrë.
Po kaloj tani në një temë tjetër. Folëm edhe pak më parë për anëtarësimin në BE, i cili është objektivi kryesor i Shqipërisë pas pranimit në NATO. Jam i sigurt se nëse Shqipëria do të kishte mundësi zgjedhjeje, do të parapëlqente më shumë të bëhej pjesë e SHBA-ve sesa e BE-së, por ju nuk e keni këtë zgjedhje. Duke marrë parasysh krizën financiare në Bashkimin Europian, ndasitë politike, problemet e zgjerimit dhe një tjetër recesion i mundshëm ekonomik, a ia vlen të bëhesh pjesë e Bashkimit Europian? Pra, nëse Shqipëria lejohet, çfarë përfitimesh do të ketë ajo nga anëtarësimi?
Është e vërtetë që Bashkimi Europian po kalon kohë të vështira. Kjo është një krizë shumëdimensionale. Në pamje të parë, ajo është kriza e euros, është një krizë borxhi. Por, në të vërtetë, është shumë më tepër se kaq. Gjithsesi, kjo situatë s’ka ndikuar në vizionin e shqiptarëve për të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian. Gjatë këtyre 40 viteve, Bashkimi Europian ka përpunuar një sërë normash, standardesh, ligjesh, të cilat nuk kanë ekzistuar më parë. Dhe si një komunitet që bazohet në të drejtat e njeriut, mendoj se është vendi më i mirë për këdo, veçanërisht për vendet e vogla. BE është tregu më i madh për vendet e vogla. Të jesh i vogël s’do të thotë se s’mund të konkurrosh.
Duhet të gjeni pikën tuaj të fortë?
Po. Mendoj se shqiptarët bëjnë mirë që e mbështesin këtë projekt.
Sa mendoni se do të zgjasë ky proces? Cila është koha reale?
Nuk më pëlqen të caktoj një datë. Kur gjërat nuk janë në dorën tënde, gabohesh kur përpiqesh të bësh rolin e profetit. E rëndësishme është se ne do të punojmë shumë për ta merituar atë. Dëshira ime është që vendi ynë të zhvillohet. Dhe çka është më e mirë, është të kemi mundësinë të integrohemi si një vend plotësisht i zhvilluar.
A prisni një ftesë për statusin e kandidatit gjatë vitit të ardhshëm?
Po, por ky është thjesht një hap përpara. Ky proces është i gjatë dhe i vështirë, por unë besoj se është edhe i pakthyeshëm.
A mendoni se zgjidhja e vetme e problemeve të brendshme dhe ndërkombëtare të Kosovës është një bashkim i plotë me Shqipërinë?
Jo, nuk mendoj kështu. Mendoj se është në interesin e shqiptarëve t’i respektojnë kufijtë ekzistues. Ky është mendimi im përsa u përket interesave tona kombëtare. Bashkimi i territoreve shqiptare s’është as trillim, as herezi. Kudo që janë, shqiptarët janë një maxhorancë etnike. Por, në këtë fazë, interesi i tyre më i mirë është ta shohin të ardhmen në Bashkimin Europian. Në çdo rrëzim kufijsh, Shqipëria rrezikon të humbasë territor. Unë jam nga ata që mendojnë se territori është i përjetshëm. Ndaj kundërshtoj…
E kundërshtoni bashkimin?
Po. Mendoj se territoret janë të përjetshme dhe se duhen shpëtuar. Shqipëria s’ka arsye të japë asnjë pjesë nga territori i saj sepse ajo ka humbur shumë më tepër territor se çdo vend tjetër në rajon. Tani shqiptarët janë të lirë. Ata s’duhet ta dëmtojnë veten dhe duhet të shohin drejt së ardhmes.
Do më pëlqente të zgjateshim më shumë mbi këto tema, por mbase një herë tjetër. Pyetja ime e fundit është pak më shumë personale. Ju jeni krahasuar me Les Valesën e Polonisë dhe me Vaslav Havelin e Çekosllovakisë, i cili ndërroi jetë pak kohë më parë, si një ndër liderët më të rëndësishëm të revolucioneve demokratike në Europë 20 apo 21 vjet më parë. Gjithsesi, nëse shihni historinë, si Valesa, ashtu edhe Haveli u larguan nga politika pasi shërbyen si presidentë të vendit. Ata ua lanë vendin lojtarëve të rinj politikë dhe njëkohësisht ngritën statusin e tyre ndërkombëtar. Ata do të kujtohen si burra shteti për vendet e tyre. Është sërish një pyetje personale… Shumë njerëz pyesin kur keni ndër mend të tërhiqeni nga jeta aktive politike për t’u bërë si ata? Cilat janë planet tuaja?
Është e vërtetë. Unë vij nga vitet ‘90. Lëvizja e shqiptarëve është unike në disa aspekte. Ngjan me lëvizjen çeke në disa aspekte. Siç e dini, disidenca çeke ka ekzistuar që nga vitet ‘60. Në Shqipëri, çdo pjesë mbi të drejtat e njeriut duhet të përmbante dënimin me vdekje. Por ajo që ishte e ngjashme me modelin çek… Kishte diçka shumë të ngjashme… Në Pragë ishin studentët e universitetit ata që e filluan këtë lëvizje. E njëjta gjë ndodhi në Tiranë. Një vit më vonë ne u ndikuam shumë nga Haveli, nga Revolucioni i Kadifenjtë. Njësoj si çekët, ne arritëm të kryenim një tranzicion paqësor, edhe pse në kushte shumë më të vështira. Pastaj… Pastaj e drejtova vendin. Humba pushtetin… E humba pushtetin kryesisht për çështje morale. U krijuan skemat piramidale. Ne nuk dinim asgjë për to. Kjo edhe mund të provohet. Por erdhi një çast kur u detyrova t’u thosha shqiptarëve se asnjë qindarkë s’do të kthehej. Ky borxh nuk mund të njihej kurrë. U thashë se një komb është njësoj si një individ. Morali nuk më lejonte ta njihja atë borxh. Kisha mundësinë të paguaja. Nëse vendosja të paguaja… Morali s’më lejonte të merrja para dhe t’ia jepja dikujt tjetër padrejtësisht. Ky ishte problemi im. E saktë apo e gabuar, kjo ishte zgjedhja ime. Rivali im tha se do të paguante çdo qindarkë. Për pasojë, kalova në opozitë. Shqiptarët nuk morën asnjë qindarkë. U ktheva duke ndjekur aspiratat dhe projektet e mia. Unë do të heq dorë ditën që shqiptarët nuk do të më votojnë. Askush s’do t’u jetë më mirënjohës se Sali Berisha për besimin që më kanë dhënë gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo është historia ime. Projekti im më i madh për momentin është ta bëj Shqipërinë një vend të zhvilluar.

Kryeministri pret në zyrë kreun e ri të KLSH
Berisha takon Leskajn: KLSH të kontrollojë çdo institucion

Berisha e Leskaj

Kryeministri Sali Berisha priti dje në zyrën e tij kryetarin e ri të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, të cilit i konfirmoi mbështetjen e qeverisë për këtë institucion. Gjatë takimit, kreu i Ekzekutivit u shpreh se lufta kundër korrupsionit dhe transparenca e qeverisjes janë gur themeli në një shtet demokratik. “Duke e vlerësuar KLSH si një institucion themelor në këtë drejtim, Kryeministri theksoi se qeveria do të mbështesë punën e këtij institucioni. Kryeministri shprehu besimin se KLSH do të shqyrtojë gjithçka me rigorozitet dhe objektivitet maksimal, në përputhje me ligjin.  Kryeministri theksoi që kontrolli të ketë si objektiv të gjitha institucionet si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel vendor”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë. Sipas Berishës, është e nevojshme dhe shumë e rëndësishme që veprimtaria e KLSH të përqendrohet në shtratin e saj ligjor që ia përcakton qartë Kushtetuta dhe ligjet. “Me punën tuaj të përpiqeni të forconi besimin e publikut te këto institucione si dhe të përcillni një përgjegjshmëri sa më të lartë për zbatimin e ligjit”, u shpreh Berisha gjatë takimit. Nga ana e tij, kreu i KLSH-së vlerësoi mbështetjen që i ka dhënë Kryeministri dhe maxhoranca atij në mandatimin për të drejtuar këtë institucion. “Zoti Leskaj theksoi se strategjia e re e KLSH do të jetë në sintoni me strategjinë antikorrupsion të qeverisë, të miratuar në vitin 2008, duke siguruar nga ana tjetër se do të synojë në një zbatim profesional dhe efikas të ligjit jashtë çdo interesi tjetër”, bëhet e ditur nga zyra e Kryeministrisë.

Kryeministri, 30 minuta takim me Arvizunë
Mesditën e djeshme, Kryeministri Sali Berisha është takuar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Diplomati amerikan ka mbërritur në zyrën e kreut të qeverisë në një orën 11:00 dhe ka qëndruar aty rreth 30 minuta, ndërkohë që vetë institucioni i Kryeministrisë nuk ka dhënë detaje. Takimi zhvillohet dy ditë para se opozita të zhvillojë një protestë të paralajmëruar përpara Kryeministrisë me rastin e njëvjetorit të ngjarjes së dhunshme të 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë. Komuniteti ndërkombëtar në Tiranë ka kërkuar hetim gjithëpërfshirës nga Prokuroria për këtë ngjarje.

Berisha: Iki po humba në 2013

Kryeministri deklaron se do të largohet nga politika po humbi zgjedhjet e ardhshme

“Mandati i tretë për mua përbën një lloj magneti”

Kryeministri Berisha

Kryeministri Sali Berisha do të largohet përfundimisht nga skena politike shqiptare nëse do të humbasë zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.
Këtë e ka bërë të ditur vetë kreu i qeverisë, gjatë një interviste në emisionin “Debat”, të gazetarit Alfred Peza, në Vizion Plus. I pyetur nëse ai do të tërhiqet nga drejtimi i Partisë Demokratike, njësoj si Fatos Nano në vitin 2005, kur humbi zgjedhjet parlamentare, Berisha u shpreh vetëm me një fjalë: “Përfundimisht”. Ai konfirmoi edhe njëherë se pas pak më shumë se një viti do të drejtojë sërish fushatën elektorale të Partisë Demokratike në kërkim të mandatit të tretë qeverisës. “Me kënaqësi, me vendosmëri, me përkushtimin më maksimal. Ai mandat përbën për mua njëlloj magneti”, u shpreh Berisha. I pyetur nëse do të lejojë një rrotacion të qetë dhe paqësor nëse Partia Demokratike dhe koalicioni që ajo do të ndërtojë, do të rezultojë humbës në zgjedhjet e korrikut të vitit të ardhshëm, Kryeministri i konfirmoi një gjë të tillë duke thënë: “Absolutisht do të respektohet verdikti i qytetarëve në mënyrën më të vendosur dhe më të civilizuar”. Lidhur me mandatin e tretë, kreu i qeverisë foli edhe në mbledhjen e fundit të kabinetit, ku theksoi se “është një vendim tjetër për miratimin e kuadrit makroekonomik fiskal për periudhën 2013-2015, për këto dy vite që janë përcaktuese për suksesin e mandatit të tretë. Natyrisht, atë e përcaktojnë shqiptarët me votën e tyre, por po të kërkosh votën, do të përgatitesh, do të përgatisësh ofertën tënde, projektin tënd, dhe kjo me vepra konkrete, jo me fantazi bajate e boshe. Ky program parashikon rritje të mëtejshme ekonomike të Shqipërisë dhe këto dy vite janë vendimtare në mandatin që do të shndërrojë Shqipërinë në një vend të zhvilluar”

© Panorama.al

Te lidhura