
BERAT – Votat që i rrodhën PS-së për zgjedhjen e kreut të Qarkut në Berat, vijojnë t’i qëndrojnë besnike këtij këshilli edhe në mbledhjet e mëpasme. Me 28 vota pro, 20 kundër dhe një abstenim, këshilli shkarkoi dje sekretaren e qarkut, Vjollca Hoxha, duke emëruar në vend të saj Tritan Haznedarin. Që në fillim të mbledhjes së Këshillit të Qarkut që drejtohej nga kryetari Petrit Sina, është kërkuar që të votohej për shkarkimin e sekretares së këtij këshilli. Kjo kërkesë është argumentuar me faktin se Hoxha nuk kishte kryer detyrën si sekretare për organizimin e mbledhjes së parë të Këshillit të Qarkut, ku u bënë edhe votimet për kreun e këtij qarku, si dhe një sërë gabimesh të tjera. Kjo kërkesë ka acaruar këshilltarët e majtë, të cilët nuk pranuan votimin për shkarkimin e sekretares. Por, kreu i Qarkut, Petrit Sina, këmbënguli në kërkesën e tij, duke iu drejtuar këshilltarëve të votonin. “Ne do ta hedhim në votim, nëse ajo fiton, do të mbetet në këtë detyrë”, u shpreh Sina. Këshilli i Qarkut ka 51 anëtarë gjithsej, 27 prej të cilëve koalicioni i majtë dhe 24 i djathti. Por dy anëtarë të së majtës dje munguan në mbledhje. Në fund të votimit rezultoi se 28 anëtarë kishin votuar pro shkarkimit të sekretares, 20 kundër dhe një tjetër kishte abstenuar. Pas shkarkimit të Vjollca Hoxhës, u bë votimi për sekretarin e ri të këtij këshilli, Tritan Haznedari. Në përfundim të numërimit, ai kishte marrë 29 vota pro dhe 20 kundër. Mbledhja e djeshme kaloi edhe në një pikë tjetër të rendit të ditës, në lidhje me disa ndryshime të buxhetit për vitin 2012. Në këtë mbledhje merrnin pjesë edhe deputetët Marko Bello dhe Lefter Maliqi, si dhe ministri Genc Pollo. d.xh











