
“Nuk do të lejojmë askënd të hedhë baltë mbi figurën e Enver Hoxhës”
Libri “Enver Hoxha” digjet në Berat. Komunistët e qarkut kanë djegur në mënyrë demonstrative dje disa kopje të librit të gazetarit Blendi Fevziu, nxjerrë për botim prej pak javësh. Duke marrë shtysë nga i njëjti akt në Ferizaj të Kosovës dhe në Elbasan, së fundi kanë reaguar dhe komunistët apo simpatizantët e epokës së monizmit dhe figurës udhëheqëse të saj, Enver Hoxha. Ata me libra në duar dhe me një bidon vajguri, në orën 10:00 të paradites së djeshme i janë drejtuar sheshit qendror të qytetit dhe në prani të shumë personave që i shoqëronin i kanë spërkatur me lëndën djegëse dhe më pas i kanë vënë zjarrin. Një ditë më parë, komunistët kanë bërë mbledhjen e tyre të radhës në selinë e partisë. Pasi kanë diskutuar rreth situatës së botimit të librit “Enver Hoxha”, me autor Blendi Fevziun, ata janë irrituar, duke thënë se po hidhet baltë mbi figurën e tij dhe se nuk mund të përtypnin shpifjet. “Blendi Fevziu nuk e ka jetuar kohën e luftës që ka drejtuar Enver Hoxha, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë. Enveri me zgjuarsi e ka drejtuar në mënyrë perfekte për çlirimin e vendit nga nazifashistët”, pohuan ata. Kryetari i Partisë Komuniste, Leko Papa, është shprehur se “ne nuk do të lejojmë askënd që të hedhë baltë mbi figurën e Enverit. Blendi Fevziu nuk është në gjendje të vlerësojë figurën e Enverit. Enveri bëri shtet. Ai e mori Shqipërinë nga moçalet dhe mushkonjat dhe e ndërtoi shumë bukur. Por ky ndërtim pati dhe koston e tij, kjo dihet, por jo se e pati fajin Enveri. Shqipëria erdhi nga feudalizmi dhe nuk pati industri. Gradualisht ai ndërtoi fabrikat, kombinatet dhe hidrocentralet nga të cilët sot Shqipëria po merr energji. Nga koha që Enveri ka ndërtuar hidrocentralet, gjatë 22 vjetëve demokraci, nuk është ndërtuar asnjë hidrocentral. Kjo tregon se Enveri e ka dashur këtë vend”. Komunistët, pasi janë mbledhur në orët e para të mëngjesit si zakonisht në Shtëpinë e Ushtarakëve, të irrituar dhe shumë të indinjuar nga shpifjet sipas tyre që ka bërë autori në këtë libër, të shoqëruar dhe nga qytetarë të ndryshëm, i janë drejtuar sheshit qendror. Aty i kanë vënë flakën librave, duke u betuar për komandantin e tyre, Enver Hoxha dhe duke bërë thirrje: “Rroftë figura e Enver Hoxhës”, “Poshtë tradhtarët” etj. Qarkullimi është bllokuar rreth 10 minuta për t’u normalizuar me mirëkuptim mes palëve.
Protesta në Elbasan
Të dielën që kaloi, komunistët e Elbasanit ndërmorën iniciativën e parë për të djegur në shenjë publike një kopje të librit “Enver Hoxha”. Sipas tyre, në libër denigrohej figura e Hoxhës dhe deformohej historia e viteve të monizmit. Ata deklaruan se u takon vetëm historianëve dhe veteranëve që të shkruajnë mbi historinë.
BERAT/ DILAVER XHELILI
© Panorama.al











