Benzema: Falë Mourinjos, jam futbollist luftëtar

Nov 9, 2011 | 11:37
Benzema feston me shoket te Reali

Kalimi i tij nga Lioni tek mbretërorët e Realit të Madridit ishte hapi i duhur në karrierën e sulmuesit të kombëtares franceze. Mirëpo, fillimi në kryeqytetin spanjoll, në futbollin e këtij vendi, nuk ishte i duhuri, ndaj lindën edhe pikëpyetjet e para mbi të, ndërsa nuk mungoi edhe stoli për francezin. Sidoqoftë, rilindja e tij në Madrid duket se ka qenë e lidhur me ardhjen në krye të “Los Blancos” të portugezit Hoze Mourinjo. Vetë sulmuesi i Realit të Madridit, Karim Benzema, e ka thënë me gojën e tij se falë trajnerit Mourinjo është ringritur sërish në majë, ka fituar mentalitetin e një futbollisti luftarak në fushën e lojës. “Po kaloja momente të vështira te Reali, nuk po gjeja hapësirat e duhura. Fati e deshi që erdhi trajner Mourinjo. Unë e kam ditur se ky trajner dëshironte ta ndryshonte stilin dhe mënyrën time të të luajturit. Që në fillim u tregua i sinqertë, teksa kërkoi nga unë që të mos isha statik, por të lëvizja vazhdimisht në më shumë hapësira të fushës. Falë kësaj strategjie të trajnerit Mouronjo, sot jam lojtar më luftarak në fushë dhe shkoj më shpejt e më shpesh te topi. Mourinjos i shkon suksesi për shtat, di si t’i karikojë lojtarët dhe mjedisin, e largon presionin nga skuadra,” – ka nënvizuar francezi Karim Benzema.

© Panorama.al

Te lidhura