Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha thotë se Edi Rama po tërheq zvarrë Gjykatën Kushtetuese, ndaj ajo nuk po del me një vendim për çështjen e Belinda Ballukut.
Në konferencë me gazetarët, Sali Berisha deklaroi se në dosjen e Belinda Ballukut në çdo tre reshta dy janë për Ramën, për këtë arsye po bllokon, sipas tij, edhe drejtësinë.
Po ashtu, Sali Berisha deklaroi se “Belinda Balluku nuk bëhet kurban për Edi Ramën”.
“Ky proces tregon tërheqjen zvarrë, se si Edi Rama tërheq zvarrë dhe poshtëron Gjykatën Kushtetuese. Kjo është dëshmia e parë e kësaj që po ndodh.
Ajo mori përsipër një çështje, të cilën absolutisht nuk mund ta shqyrtonte pa kaluar në Apel dhe Gjykatën e Lartë. Dhe ajo po me urdhër të Edi Ramës, ka caktuar deri më tani 3 data dhe nuk e shqyrton dot, sepse Edi Rama e tërheq zvarrë për turpin e saj.
Edi Rama edhe njëherë, po të përdorja ca terma të lashtë, do të ishte i gatshëm ti shkrinte dhe plumb në vesh Lubi Ballukut, dhe ta hiqte qafe, po të mos ishte se dosja e saj në çdo 3 rreshta, 2 janë për Ramën. Këtu e ka hallin Rama dhe e kanë kuptuar të gjithë qytetarët, se ky i kujton qytetarët se janë njerëz që nuk marrin vesh.
E kanë kuptuar që të gjithë që ata kanë hallin e vet, hallin e madh. Prandaj dhe qytetarët e patë se ç’ishte 24 Janari. Nuk dilte kush sa për Lubinë as te dera e shtëpisë, por e dinë që është Edi Rama kryesori në dosje dhe po bllokon drejtësinë.
Kështu që protesta dhe vetëm protesta është rruga e vetme, shpresa e vetme që shqiptarët ti japin narkodiktatorit atë që i dhanë dikur diktaturës së parë, apo atë që i dha Bangladeshi, autokrates, atë që i dha Nepali autokratit, ti japin Edi Ramës shqiptarët dhe sa më parë”, tha Berisha.
© Panorama.al












