Belinda Balluku, ish zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e shkarkuar pak ditë më parë nga detyra, pretendon se nuk ka asnjë lidhje me akuzat e ngritura ndaj saj nga Prokuroria e Posaçme dhe se nuk ka kryer asnjë veprim për të penguar drejtësinë.
Në daljen e parë publike pas shkarkimit nga kryeministri Edi Rama, teksa i kaloi detyrën ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, Balluku u shpreh se ndaj saj ka pasur të pavërteta dhe gënjeshtra.
Megjithëse është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për procedura të tjera tenderuese, ish zëvendës kryeministrja thotë se nuk ka asnjë lidhje me korrupsionin, ndërsa pretendoi, përkundër faktit se SPAK ka prova kundër saj, se nuk ka tentuar që të pengojë hetimet ndërsa ishte në postin e zv kryeministres dhe ministres.
Po ashtu, ajo pretendoi se akuzat e ngritura për pasurinë e saj nuk qëndrojnë, duke theksuar se nuk ka as 300 apartamente apo jahte, siç është përfolur.
“Prokurorët duhet të bëjnë detyrën e tyre siç e kam bërë edhe unë. Dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur e gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, gjysmë të vërtetat, të pavërtetat apo nga gënjeshtrat. Nuk kam patur lidhje me korrupsionin dhe nxis që hetimi që ka nisur prej muajsh prej meje, dhe që se kam penguar kurrë as në pozicionin si ministër apo zv që të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Unë nuk jam as 300, 30 dhe as 3 apartamente. As një apo dy jahte as limuzinë, helikopterë e avionë por të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, që fatkeqësisht bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend, por unë jam rritur me gjyqet publike. Ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqin publik pasi jam kalitur që e vogël.
Di të bëj punën time. Secili ka mënyrë e tij, ia munduar të bëj më të mirën. Nuk e kam penguar drejtësinë dhe as kurrë nuk do e pengojë drejtësinë që e kam mbështetur si pjesë integrale të një Shqipërie Europiane. Më vjen keq që situata personale ka krijuar vonesë në sistemet jetësore të MIE. Më vjen keq që kam ngarkuar qeverinë me një peshë që nuk e meriton për të gjithë rezultatet e qeverisë këto 12 vite. Më vjen keq që është ndikuar qetësia personale e juaja e familjarëve. Më vjen keq për ditët e muajt e humbur në proceset e rëndësishme që duhen çuar përpara.”, u shpreh ajo.
Kujtojmë që SPAK i është drejtuar Kuvendit me një kërkesë për t’i hequr Ballukut imunitetin si deputete, e për t’i hapur rrugë arrestimit të saj. Ajo është zyrtarisht nën akuzë për shkelje në tenderin e tunelit të Llogarasë, por gjithashtu nën hetim edhe për disa procedura të tjera tenderuese.
SPAK, në provat që ka depozituar në Kuvend, ka argumentuar se Balluku ka përdorur të fortët dhe zyrtarë publikë për të intimiduar dëshmitarët dhe penguar hetimet. Sipas Prokurorisë, me hetimet e deritanishme, ajo rrezikon deri në 35 vite burg.
© Panorama.al












