Belind Këlliçi: Rama po rrezikon integrimin për të mbrojtur Ballukun! KE po i kujton kryeminsitrit se integrimit në BE varet nga lufta ndaj korrupsionit

Feb 9, 2026 | 17:10

Deputeti i PD për Tiranën, Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratës së Komisionit Europian, i cili kërkoi trajtimin pa vonesë të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të ministres Belinda Balluku.

Balluku SPAk-arrestimi

Këlliçi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po pengon drejtësinë dhe po vë në rrezik procesin e integrimit europian për interesa personale. Sipas tij, Balluku akuzohet për abuzime me të paktën 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro, ndërsa qëndrimi i Ramës ka nxitur reagim të fortë nga Bashkimi Europian.

Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit është kusht kyç për integrimin në BE dhe u bëri thirrje qytetarëve të mblidhen në protestë nesër në orën 17:00, përpara “zyrës së krimit dhe korrupsionit”.


Reagimi i Këlliçit:

Rama është gati të djegë integrimin për lëkurën e tij, por shqiptarët nuk do e lejojnë!
Komisioni Europian ka kërkuar sot trajtimin pa vonesë të kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të së pandehurës Belinda Balluku, e akuzuar për abuzim me të paktën 11 tendera me vlerë 1.1 miliardë euro.
Ky qendrim i KE vjen menjëherë pasi Edi Rama tha sot se nuk ka ndërmend ta shqyrtojë këtë kërkesë, duke lënë të kuptohet rrëzimin e saj. Madje ai shpalli se do të ndërhyjë në ligj për ta bërë veten dhe mëkëmbësit e tij, të pahetueshëm, të padënueshëm, të paprekshëm.
KE po ashtu, i kujton se nga lufta e korrupsionit, varet integrimi europian!
Mbrojtja që Edi Rama po i bën aferave, pengesa që po i bën drejtësisë po sjellin reagim të fortë ndërkombëtar. Nga kjo kuptohet qartë nga kushdo, se sa i madh është presioni që Balluku i ka bërë dhe se sa i kapur është vetë Edi Rama në korrupsion.
Ai është gati të luajë dhe të vërë në rrezik integrimin dhe raportet e vendit me BE-në, vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij.
Por kjo punë e ka marrë rrugën përfundimisht!
Ai mund të fitojë kohë, por po i shton shumë kosto largimit të pashmangshëm.
Shqiptarët nuk do të sakrifikojnë aspiratën e tyre historike dhe të ardhmen, për fatin personal të një Kryeministri të korruptuar e të lidhur me krimin.
Ne zgjedhim integrimin, zgjedhim Europën.
Dhe bashkohemi të vendosur nesër në orën 17:00 para zyrës së krimit dhe korrupsionit.
© Panorama.al

Te lidhura