Bekham fiton titullin kampion në SHBA me LA Galaksi

Nov 21, 2011 | 11:02

Një Galaksi yjesh kishte si detyrë thjesht që të fitonte titullin. Ky ishte misioni i skuadrës së Los Anxhelosit dhe titulli në futbollin profesionist amerikan u fitua me kontributin e jashtëzakonshëm të Dejvid Bekamit, por edhe të sulmuesit irlandez, Robi Kin e të sulmuesit amerikan, Landon Donovan. Galaksi u shpall kampione e Shteteve të Bashkuara, pasi mposhti 1-0 në finale Dinamon e Hjustonit. Ndeshja e luajtur në Los Anxhelos, pra në Kaliforni, u vendos nga një gol i minutës së 72-të, shënuar nga Donovan, që e kaloi topin mbi portierin mik, ndërsa më parë kishin kombinuar Bekam e Robi Kin. Ky është titulli i parë kampion për Galaksi, që nga viti 2005, dhe i treti për këtë skuadër në dekadën e fundit. Pronarët e klubit kalifornian kërkonin nga skuadra që ta fitonte titullin patjetër, për shkak të shpenzimeve të mëdha të bëra në të, duke pasur në radhët e ekipit Bekamin, Kinin dhe Donovanin, që të tre të paguar më shumë sesa struktura zyrtare e pagave. Tashmë, pritet të merret vesh se ku do ta vazhdojë Bekhami karrierën e tij, ndoshta kthehet në Europë, por ndoshta qëndron edhe në Los Anxhelos, ku mund të rinovojë kontratën që i skadon tashmë.

© Panorama.al

Te lidhura