Bedri Blloshmi: Ç’më thanë njerëzit që morën pjesë në pushkatimin e tim vëllai

Sep 1, 2011 | 12:24
Bedri Blloshmi te memoriali kushtuar dy poeteve te pushkatuar

Pavarësisht kronologjisë së ngjarjeve e fakteve që përmban dosja operative e dy poetëve të pushkatuar, në korrikun e vitit ‘77, vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi, ka bindjen se bëhet fjalë vetëm për një pjesë  të së vërtetës.Madje, sipas tij, mënyra si paraqiten mjaft dokumente të procesit të lë të kuptosh se janë redaktuar e përshtatur disa herë. Në atë që thotë, si protagonist i ngjarjes, Blloshmi saktëson aspekte të ndryshme, duke korrigjuar detaje të tëra të zbardhura në dosje pjesërisht, por edhe të denatyruara në dokumente, sipas stilit të shërbimit të fshehtë. Ai, gjatë këtyre viteve, pjesën më të madhe të  historisë së grupit të famshëm të Bërzeshtës, e ka publikuar në disa libra, por ende mendon se ka  gjëra të pazbuluara për ta ndriçuar deri në fund mekanizmin e krimit makabër. Në rrëfimin për “Panorama”, vëllai i poetit të pushkatuar veçon ditët kur ndante të njëjtën qeli me të, dramën e gjyqit në qendër të Librazhdit, profilin e spiunëve të fshehtë dhe përjetimet nga takimet me njerëzit që kanë marrë pjesë në pushkatimin e poetëve…
Zoti Bedri! Një periudhë të gjatë keni ndarë të njëjtën qeli në degën e Brendshme të Librazhdit me vëllain, Vilsonin. Çfarë kujtoni nga përjetimet e atyre ditëve?
Në asnjë rast nuk kam qëndruar në të njëjtën qeli me Conen (kështu e përmend ai emrin e Vilsonit), por në dy biruca krah njëra-tjetrës. Mua më kishin sjellë aty më parë, Vilsoni erdhi diçka më vonë. Më saktë, kur e kthyen nga burgu i Tiranës. Megjithatë, edhe në ato kushte, tërësisht të izoluar dhe të ndarë me një faqe muri, ne komunikonim, madje rregullisht.
Kishte dritare qelia?
As bëhej fjalë për dritare, por ne komunikonim me sistemin e trokitjeve, një kod ky i njohur në praktikën e të burgosurve. Conia ishte i pari që nisi dialogun me çukitjet në faqet e murit të qelisë. Me sa më kujtohet, atë sa e kishin sjellë nga birucat e Tiranës kur gati më shurdhoi me goditjet e njëpasnjëshme. Unë ende nuk ishe orientuar me këtë mënyrë komunikimi. Këmbëngulja e Cones dhe nevoja për të shkëmbyer qoftë edhe një mendim të vetëm, me sa duket më ambientuan shpejt me fjalorin e kësaj gjuhe.
Pra, që nga koha e arrestimit tuaj, me Vilsonin vendosët kontakte kur e kthyen nga Tirana. Si u morët vesh në kushtet e izolimit në dy biruca të ndryshme?

Bedri Blloshmi duke folur për “Panorama” Foto: Vlasov Sulaj

Është një histori më vete kjo, që sa herë e kujtoj çuditem edhe vet. Një pasdite teksa rrija i mërzitur në qeli, Vilsoni troket në mur me 36 të goditura. Nga mënyra si reagova, Conia e mori vesh se nuk e kisha kuptuar. Për të më futur në “lojë” me shenjat e kodit të birucave shfrytëzoi një moment kontaktin me policin e shërbimit te sporteli i qelisë. Teksa kryqëzuan shikimet, Conia i tha atij me zë të lartë: “Ti je djalë me shkollë, por po më the 36 germat e alfabetit A-B-C-D e me radhë, atëherë je me të vërtetë i zgjuar”. Polici ia ktheu se nuk i duhej alfabeti, por vetëm të hapte e të mbyllte çelësat e birucave. Duhet t’i dish germat e alfabetit A-B-C, duhet t’i dish patjetër, përsëriti Conia, këtë radhë më fuqishëm që ta dëgjoja edhe unë për të më kujtuar fjalorin e komunikimit. Kaq u desh dhe mora vesh përse bëhej fjalë. Në darkë kur më sollën çorbën, mora lugën dhe me bishtin e saj shkrova në mur 36 germat e alfabetit sipas numrit rendor
1-A; 2-B; 3-C e kështu me radhë. Kur trokisje një herë, do të thoshte se fjala fillonte me A. Kur germa ishte në numrin 10, 20, apo 30, trokitja ishte më fort. P.sh: Një e trokitur e fortë  ishte germa 10. Për plotësimin e fjalës, në vijim trokitjet bëheshin me gisht. Pas provave të para, Conia më ktheu përgjigje se kjo ishte e gjitha.
Aty pastaj më shpjegoi se çfarë kishte ndodhur me të pas arrestimit…
Ligjëratën e tij tanimë e kuptoja qartë. Në fillim, më shpjegonte Conia, më thirrën në Librazhd për në zbor, bashkë me Rifat Blloshmin. Më thanë se kemi nevojë për të bërë disa parulla matanë urës së Librazhdit. Sa mbërrita aty, më doli përpara operativi Xhevat Karriqi, i shoqëruar me 10 civilë të armatosur. Më hodhën hekurat, më futën në një gaz, më mbështollën një batanije në kokë dhe më nisën pa ditur se ku po shkoja. Mbas disa orëve udhëtimi e pashë veten në një dhomë të ngushtë. Aty më hoqën batanijen, më lanë lidhur me duar prapa, mbyllën derën dhe ikën. Në të errur, në birucën ku më kishin çuar mbërritën tre civilë. Ata filluan të më pyesin për librat, poezitë e dorëshkrimet, dhe herë pas herë më thoshin se kisha agjituar kundër pushtetit popullor. Pas mesnate u hap dera e qelisë dhe hyri Kadri Habziu. Në këtë moment të tjerët dolën jashtë. Kadriu e nisi bisedën me pyetjen nëse më kishin dhënë ushqim dhe unë ju përgjigja, JO. Urdhëroi të më sillnin diçka për të ngrënë. Më pas më tërhoqi vëmendjen për ta dëgjuar me kujdes. Ti rrjedh nga një familje kundërshtare me regjimin tonë, u shpreh, ke pasur të dënuar babanë, xhaxhanë, ke në fis edhe të pushkatuar. Ke madje të arratisur jashtë, ke dajën të arratisur në Belgjikë. Je djalë inteligjent, me shkollë, me gjuhë të huaja. Kam një propozim që duhet ta pranosh patjetër. Mendohu mirë përpara se të përgjigjesh. Bedrinë e kemi arrestuar vetëm që ta kemi si garanci, as ti e as ai nuk keni bërë asnjë krim. Pastaj ke dhe 19 veta në familje. Ti sa je martuar dhe pret një fëmijë. Kërkoj të bashkëpunojmë dhe për këtë do të të dërgojmë në Belgjikë, te daja aty. Përgjigjen nuk e dua tani. Do të vij prapë. U mata t’i flisja, por nuk më lejoi. Sakaq doli, iku dhe brenda u futën tre civilë të tjerë, jo ata të parët. Hekurat nuk m’i hiqnin asnjë çast, vetëm kur u kërkoja për të shkuar në banje. Me batanije mbuluar më zgjidhnin. Gjithë natën më mbanin me këmbë të lidhura. Çdo ditë vinte aty kryetari i Degës së Librazhdit, që më merrte në pyetje. Kadri Hazbiu u duk sërish për të marrë përgjigjen. Përfundimisht kundërshtova. Ai u largua, kuptohet i xhindosur.
Në procesin ndaj grupit armiqësor të Bërzishtës, siç quhej në atë kohë grupi juaj, prokuroria ka ndërruar tre herë përmbajtjen e aktakuzës. Cilat ishin arsyet?
Aktakuza e parë mbeti në fuqi, me sa kujtoj, deri në fund të shkurtit të vitit ‘77. Sipas saj, Genç Leka penalizohej me nenet 72/12 dhe 73/1. Pas tij, isha unë me nenin 72/12, që parakuptonin krimin e sabotimit ekonomik. Me aktakuzën e parë, Vilsoni gjykohej vetëm me nenin 73/1 për agjitacion e propagandë, që parashikonte dënimin nga tre deri në dhjetë vjet heqje lirie. Pavarësisht këtyre, Coni më thoshte që në asnjë rrethanë mos ta pranonim akuzën. Këtë më porosite t’ia komunikoja edhe Gencit(Lekës). Ndodhi që një ditë Gencin e morën në zyrë dhe kur u kthye me tha me kodin e trokitjeve se, Selim Caka e Lulo Ymeri i kishin marrë aktakuzën duke e sqaruar se do ta ndërronin me një tjetër. Të pranishëm kishin qenë ndërkaq kryetari i Degës, Merdar Hasa, prokurori Qani Lavdari dhe Dhimitër Bashiri, i ardhur nga Tirana. Këtë ia komunikova menjëherë Cones. Pas pak më thirrën edhe mua dhe më komunikuan atë që i kishin thënë Gencit. Selim Caka, shefi i hetuesisë, më futi fletën e aktakuzës së re poshtë këmishës. Para se të më  çonin prapë në birucë më thanë se më kishin prerë një kostum tjetër. I trokita Conit dhe e sqarova pse isha në zyrë. Diku më vonë e thirrën edhe atë. E mbajtën goxha sipër në zyrë. Kur u kthye më sqaroi se i kishin shtuar nenin e sabotimit në aktakuzë dhe më porositi t’i thosha edhe Gencit, që në çdo rrethanë ta mohonte akuzën e re që parakuptonte dënim kapital.
Në moment e vura Gencin në dijeni të porosisë së Cones. Ai pohoi se nuk do të pranonte asgjë nga akuzat e montuara për sabotim.
Me një fjalë e mohuat akuzën për sabotim…
Me sa më kujtohet, ka qenë data 29 maj 1977, kur na sollën akuzën e dytë. Hapën birucën e Gencit , unë dëgjoja tek dera e qelisë. Genci e kundërshtoi, nuk e marr, u thoshte. Selim Caka insistoi: “Merre dhe në gjyq thuaj për çfarë nuk je dakord”. Genci mesa kuptova e morri akuzën. Hapet biruca ime, kur ç’të shoh, në korridor kishte mbërritur hetuesi, kryetari, nënkryetari i Degës dhe prokurori Qani Lavdari. Urdhëro, më thotë Selimi: “Të kemi prerë një kostum tjetër, do të rrijë më mirë se i pari”, vazhdoi me ironi. Jo, i them, ky kostum është për ty. Në moment më godet shefi i krimeve, Qamil Musta. Rashë në çimento i trullosur. Aty më hodhën edhe letrën me tekstin e akuzën dhe mbyllën derën. U ngrita me vështirësi, e mora akuzën dhe e hodha jashtë sportelit. Sakaq, hapën birucën e Vilsonit. Debatuan gjatë me të. Conia nuk ua mori akuzën. Kur të gjithë ishin larguar në katin lartë, Coni i ra murit. Thuaj Gencit si e pate fjalën, më thoshte ai, pse e mori akuzën. Mesazhin e Conit ja transmetova Gencit. Ai nuk reagoi aty për aty, por diku më vonë më tha se kishte vendosur që të mohonte çdo gjë në gjyq…
Në gjyq pastaj…
Ah, gjyqi! Ai ishte porositur me “regjinë” e sekretarit të parë të rrethit, Sotir Koçollari, për t’u bërë “model” sipas zhargonit të kohës për të tilla procese. Ishte data 6 qershor 1977, kur u futëm në sallën e improvizuar për procesin. Fillimisht kryetari i seancës u drejtua nga të ftuarit e shumtë me pyetjen se kush e donte fjalën. I pari që u çua ishte një mësues pensionist. Mithat Leka, e kishte emrin. Ai serbes-serbes, me një zë të trashë, u shpreh: “Të gjithë i njohim këta bij armiqsh, e tradhtarësh. Nuk ja vlen të merremi me ta, por t’i nxjerrim tek sheshi dhe t’i varim në litar. Foli dhe një tjetër, pasi u prezantua me emrin Todi Bardhi. Me sa morëm vesh ishte sekretar partie i kooperativës së Lunikut. Nuk e mbaj mend fjalë për fjalë ligjëratën e tij, por më kujtohet thirrja që bëri për mos ta zgjatur me ne, po të na tregonin vendin, pra plumbin. Pas tij u ngrit një ushtarak i quajtur Isa Kopaçi, i cili vuri në vëmendjen e trupit gjykues se  ne kishim shpresuar tek tradhtari Beqir Balluku dhe kishim sabotuar aksionin e partisë për ngritjen e bunkerëve në brezin kufitar. Në vazhdim, një nxënës i gjimnazit kumtoi para sallës solidaritetin e kolektivit të shkollës në krahë të sigurimit për të dënuar maksimalisht armiqtë e popullit. Si mbaruan të ftuarit, u çua gjyqtari Subi Sulçe, i cili iu drejtua Gencit: “I pandehur, si kryetar grupi, e ke marrë akt-akuzën. A e pranon atë?”. “Po, bëri Genci, e kam marrë dhe e pranoj joplotësisht, duke sqaruar se ishte dakord vetëm me pjesën agjitacionit e propagandës dhe mohonte pjesën e sabotimit”. U desh kaq dhe kryetari i xhindosur urdhëroi për ta mbyllur seancës. Na lidhën dy e nga dy, na hipën në “gazin” e Degës dhe na çuan në qeli. Pas pak erdhën dhe morën Gencin. Si e mbajtën një orë në zyrë, e sollën prapë në birucë. Trokita në mure disa herë për ta pyetur, por Genci nuk m’u përgjigj. U përpoqa disa herë  të lidhesha me të, por më kot. Në pasdite, seanca u hap përsëri. Në kohën që kryetari i trupit gjykues e deklaroi të çelur, duke ftuar të pandehurit për të folur, u çua Genci. Në kumtimin e kësaj radhe pranonte faktin se kishte bërë edhe sabotim. U mundova ta vështroj drejtpërdrejt. Kishte ndryshuar komplet, aty qeshte, aty zgërdhihej e aty rrinte si i lagur, duke shprehur gjëra të pathënë ndonjëherë. Kuptohej lehtë se diçka i kishin bërë në zyrë. Kjo e futi në një rrjedhë tjetër procesin. Se çfarë kishte ndodhur me Genc Lekën, nuk u mor vesh asnjëherë. Gjithçka u groposën bashkë me të, natën e 17 korrikut 1977.
Çfarë keni mësuar pas daljes nga burgu për momentet e fundit të Vilsonit dhe Gencit?
Kjo ka qenë një brengë e madhe gjatë tërë kohës kur vuaja dënimin në burg. Sa dola që aty kam kërkuar me ditë e muaj të tërë, dokumentacionin e dosjes dhe vendin e varrimit të Cones dhe Gencit. Pas shumë peripecish, gjetëm eshtrat e tyre dhe u bëmë ceremoninë mortore sipas riteve. Në vazhdim, jam përpjekur shumë të kontaktoj me njerëzit që kanë qenë të pranishëm në pushkatimin e tyre, por ka qenë shumë e vështirë. Si në asnjë rast tjetër të ngjashëm, në dosjen e tyre nuk ndodhet procesverbali i ekzekutimit, ku rregullisht janë emrat e pjesëtarëve të skuadrës së pushkatimit dhe fjalët e fundit të të ekzekutuarve. Të vetmin dëshmitarë të natës fatale të 17 korrikut ‘77, që arrita ta kontaktoj, ishte mjeku i cili kishte qënë i pranishëm aty. Ai më tregoi se atë natë e kishin telefonuar rreth orës 23:00 dhe e kishin urdhëruar të paraqitej me urgjencë në Degë. Shkova aty, më rrëfeu mjeku. Para Degës ishin 6-7 makina me civilë e policë. Hypa edhe unë në njërën prej tyre dhe u nisëm, pa e ditur se ku po shkonim. Aty te përroi i Firrarit… Nejse. Mjeku, siç pretendon, ka qenë disi larg vendit të ngjarjes dhe, veç krismave, nuk ka dëgjuar gjë tjetër. Të nesërmen, pohon ai, e kanë thirrur në Degë dhe ka firmosur procesverbalin e ekzekutimit.
Veç mjekut nuk keni takuar njeri tjetër që ka qenë i pranishëm atë natë?
Kam mësuar faktin se dy policët e skuadrës së pushkatimit, nuk kanë qenë nga Librazhdi, por të ardhur nga një Rreth tjetër, vetëm për misionin e asaj nate. Shumë dëshmitarë, që i kanë parë, thonë se flisnin me dialektin shkodran. Ka qenë i pranishëm, sipas rregullit të detyrës, edhe prokurori i rrethit, po ku flet soji i tyre. Të tjerë ka pasur disa, pavarësisht se nuk kanë qenë atë natë te përroi i Firrarit. Të tillë unë quaj bashkëpunëtorët e Sigurimit, që ju, i nderuari gazetar, nuk preferoni t’i thërrisni me emrat e tyre, por me iniciale të pakuptimta. Ju thoni D.B., kur quhet Dilaver Blloshmi, E.Ç., kur quhet Ëngjëllush Çela, Sh.Y., kur është Shahin Yryku, E.L., kur duhet Emin Lenaku. Rreshti i tyre vazhdon me Sami Hykën, Sali Vlashin, Sami Dashin, Osman Zogollin, Hasan Alliun, Harif Qyren, Demir Blloshmin etj. Mua, mënyra e referimit të pseudonimeve “Bleta”, “Shebeniku”, “Stundenti”, “Burreli” më tingëllon si dikur komunikimi i ilegalëve komunistë. Çdo tentativë për të shmangur emrat e vërtetë, mendoj se është përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit. E kjo nuk duhet të vazhdojë…

 

AFRIM IMAJ

© Panorama.al

Te lidhura