Pavarësisht se është pranë përfundimit të një karriere të shkëlqyer futbollistike, e cila e ka parë yllin e njohur anglez të luajë për superklube të tilla si Mancester United, Real Madrid dhe Milan, mesfushorit 36-vjeçar iu dha cmimi “Comeback Player of the Year”, pas një sezoni yjor me La Galaxy. Pasi e humbi shumicën e sezonit të kaluar, për shkak të një dëmtimi në tendinën e Akilit, “Becks” u kthye më i fuqishëm, për të luajtur 26 ndeshje në sezonin e tij më të mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një intervistë për një radio amerikane, David tha: “Ka qenë një vit i suksesshëm deri më tani, kemi luajtur dhe kemi fituar. Mund të them se ky ka qenë sezoni më i këndshëm i imi në 5 vite qëndrimi te La Galaxy. Ekziston një besim dhe unitet i madh mes lojtarëve të ekipit, ndaj duam të fitojmë edhe kampionatin.”
Pavarësisht formës së tij të mirë, “Becks” pranon se trupi nuk i reagon më si duhet, për shkak të viteve që ka mbi supe, e ka më të vështirë të riaftësohet e të rikuperojë energjitë nga ndeshjet. Për këtë, anglezi shtoi: “Mos harroni se jam 36-vjeç. Dihet se kjo moshë nuk është shumë produktive në futboll. Edhe dikush që nuk stërvitet rregullisht dhe intensivisht, që nuk luan fare futboll, kur i afrohet moshës sime, ndihet jo si 21 vjec, kur zgjohet në mëngjes.”
David nuk ka ende shumë kohë për të vendosur për të ardhshmen e tij në futbollin e luajtur, pasi kontrata e tij me La Galaxy po i afrohet fundit. Familja e tij ndihet komode në Los Angeles, por ai dëshiron të vazhdojë të luajë, me shpresën se do të jetë pjesë e skuadrës olimpike të Anglisë, vitin e ardhshëm, në Lojërat Olimpike të Londrës. Ndërkohë, disa klube, duke përfshirë edhe Paris SG, besohet se janë të interesuara për shërbimet e yllit të futbollit anglez, pavarësisht moshës së tij 36-vjecare.











