Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se marrëveshja ndërmjet Bashkimit Europian dhe vendeve të Mercosur-it, Brazili, Argjentina, Paraguai dhe Uruguai do të zbatohet përkohësisht, edhe pse Parlamenti Europian e ka dërguar çështjen për shqyrtim në Gjykatën e BE-së.
Von der Leyen tha se Uruguai dhe Argjentina janë vendet e para që kanë ratifikuar marrëveshjen, ndërsa Brazili dhe Paraguai pritet ta ndjekin së shpejti. “Këto janë lajme shumë të mira, pasi tregojnë besimin dhe gatishmërinë e partnerëve tanë për të avancuar marrëdhëniet dhe për të vënë në zbatim këtë marrëveshje historike,” shtoi ajo.
Marrëveshja Mercosur krijon një treg prej 720 milionë njerëzish, hap shumë mundësi për bizneset europiane dhe ul miliarda euro dogana. Ajo lejon bizneset e vogla dhe të mesme të kenë akses në tregje të reja dhe të zhvillohen në nivele që më parë mund të kishin vetëm ëndërruar. Gjithashtu, ofron Europës një avantazh strategjik në një botë me konkurrencë të fortë.
Von der Leyen theksoi se zbatimi është i përkohshëm, duke respektuar ligjet e BE-së. Marrëveshja mund të përfundojë plotësisht vetëm pasi Parlamenti Europian të japë miratimin e tij. “Komisioni do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet e BE-së, shtetet anëtare dhe palët e interesuara për të siguruar një proces të qetë dhe transparent,” shtoi ajo.
Më 12 janar, Parlamenti Europian vendosi të “ngrejë në pritje” marrëveshjen, duke e dërguar për shqyrtim në Gjykatën e BE-së për të verifikuar bazën ligjore të saj. Kundër kësaj vendimmarrjeje votuan 334 deputetë, 324 ishin pro, dhe 10 abstenuan.
Marrëveshja Mercosur konsiderohet një hap i rëndësishëm në zgjerimin e tregtisë ndërkombëtare të BE-së dhe pritet të ketë ndikim të madh ekonomik për vendet e përfshira.
© Panorama.al












