
Komisioni Europian ka konfirmuar raportet se qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, aspirues për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, për të cilët Brukseli ka hequr vizat në nëntor të vitit 2010, përsëri mund t’i nënshtrohen procedurës së rëndë. Kjo për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve nga ky vend. Pas raporteve në shtypin lokal, që BE-ja mund të rifusë vizat për qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës, Mikele Çerkone, zëdhënës i komisioneres për Çështjet e Brendshme të BE-së, Sesilia Malmstrom, konfirmoi se Ekzekutivi i BE-së po monitoronte nga afër rritjen e numrit të azilkërkuesve. “Vendet e BE-së, të cilat kanë përjetuar kohët e fundit rritje të këtij numri, janë Gjermania, Belgjika, Suedia dhe Luksemburgu”, tha ai. “Liberalizimi i vizave është një nga arritjet më të mëdha në procesin e integrimit europian për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe komisionerja Malmstrom është angazhuar personalisht për të mbështetur procesin e liberalizimit të vizave”, tha Çerkone. Prandaj ai tha se Malstrom ishte shumë e shqetësuar për rritjen e numrit të kërkesave të pabazuara për azil në BE nga shtetas të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe disa vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor. “Duhet të jetë e qartë se nëse disa nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk i përmbushin angazhimet e tyre dhe nuk adresojnë siç duhet dhe shpejt shqetësimet e vendeve anëtare të BE-së në lidhje me numrin në rritje të kërkesave të pabazuara për azil, arritja e liberalizimit të vizave mund të vihet në rrezik”, theksoi ai.
Më 20 shtator, komisionerja Sesilia Malmstrom u dërgoi një letër ministrave të Punëve të Brendshme nga Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia, duke kërkuar që ata të informojnë Komisionin për masat praktike që kanë vendosur për të vënë nën kontroll rritjen e numrit të azilkërkuesve në vendet anëtare të BE-së. Komisionerja Malmstrom shpreson se situata aktuale do të adresohet në mënyrë adekuate dhe pa vonesë dhe bën thirrje për mbështetjen e plotë dhe angazhimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të shmangen zhvillimet negative që rrezikojnë këtë proces të suksesshëm. “Forumi i Ardhshëm i Drejtësisë dhe Çështjeve të Brendshme BE-Ballkan Perëndimor në Ohër (03-04 tetor) do të ofrojë mundësi për të diskutuar situatën aktuale”, tha Çerkone.
Refuzohet “Shengen” për Rumaninë e Bullgarinë
Ministrat e Brendshëm dhe ata të Drejtësisë në Bashkimin Europian, në mbledhjen e javës së kaluar të Këshillit, nuk arritën një marrëveshje për të përfshirë edhe Rumaninë e Bullgarinë, dy anëtare të BE-së, në zonën “Shengen”. “Kjo është me të vërtetë për të ardhur keq që nuk kam marrë një rezultat më të mirë nga kjo mbledhje të Këshillit. Komisioni mbështeti përpjekjet e Presidencës polake për të gjetur një zgjidhje”, u shpreh në përfundim të mbledhjes komisionerja Malstrom.
Vendet përfituese nga heqja e vizave
Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina ishin dy vendet e fundit në rajon që përfituan nga vendimi i Këshillit i Bashkimit Europian për heqjen e vizave me vendet anëtare. Tirana dhe Sarajeva morën dritën jeshile në dhjetor 2010, ndërsa një vit më parë kishin përfituar edhe Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia, për shkak të përmbushjes më shpejt të standardeve. Tani në radhë për të përfituar janë Armenia dhe Azerbajxhani.











