Ndërmjetësi i Bashkimit Europian në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper, ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të kenë mirëkuptim ndaj moszbatimit të marrëveshjeve nga ana e Beogradit, derisa të bëhet një vlerësim për performancën e palës serbe në procesin e deritashëm. Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, vlerësoi se institucionet e Kosovës nuk do të kenë durim të pafund për sa i përket çështjes së Veriut. Kuçi shtoi se në Veri do të zhbllokohen rrugët, dhe në këtë pjesë të territorit të Kosovës do të vendoset normaliteti. Autoritetet kosovare i kanë dërguar javën e kaluar dy letra negociatorit të BE-së, në to shprehet pakënaqësia që Serbia nuk po zbaton marrëveshjet e arritura në Bruksel, sipas burimeve të “Express”. Këshilltari i Baroneshës Ashton është përgjigjur me letër javën e kaluar. Në letër thuhet se “Kuper e ka uruar Kosovën për zbatimin marrëveshjes në mënyrë korrekte për vulat. Po ashtu, ka shprehur shqetësimin që pala tjetër, Serbia, ende nuk ka nisur me zbatimin e saj. Ai ka kërkuar që Kosova të ketë edhe pak ditë mirëkuptimi, derisa BE-ja ta vlerësojnë performancën e Serbisë për këtë çështje”. Mosrespektimi i marrëveshjes do të diskutohet në bisedimet e ardhshme që priten të mbahen më 27 dhe 28 shtator. Krynegociatorja kosovare, Edita Tahiri, është treguar e gatshme për vazhdimin e dialogut, ndërsa negociatori serb, Borislav Stefanoviç, e ka konfirmuar vonë pjesëmarrjen. Ai kërkonte domosdoshmërisht diskutimin e dy pikave doganore, Jarinë dhe Bërnjak, në këto bisedime. Por, pala kosovare ka refuzuar të diskutojë çështje të mbyllura përgjithmonë, të cilat rrezikojnë ta kthejnë kontekstin e këtyre bisedimeve nga teknike në politike. Stefanoviç ka thënë të enjten e kaluar për “Express” se e ka të vështirtë të marrë pjesë në dialog, nëse nuk përfshihet propozimi i qeverisë së tij. Por, të dielën, ai ka ndryshuar qëndrimin. Tani thotë se për doganat kosovare në Veri, Beogradi do të diskutojë në Bruksel, vetëm me përfaqësues të SHBA-së dhe BE-së, por jo me zyrtarët e Kosovës. Ai duket se do ta hapë këtë temë në takimet e zakonshme që mbahen para secilit raund në dialog, mes diplomatëve europianë dhe amerikanë, me të dyja delegacionet veçmas.
Akuzat
Shefi i delegacionit serb, Borisllav Stefanoviç, ka akuzuar opozitën serbe se ka për qëllim “të shkaktojë kolapsin e politikës shtetërore ndaj Kosovës”. “Është e vërtetë se në Veri mbizotëron atmosferë e keqe, për shkak të mesazheve të ndryshme nga Beogradi. Një pjesë e opozitës është shumë aktive, pranë zgjedhjeve të ardhshme”, tha ai.











