BE bën gati progres-raportin, Shqipëria nuk e merr statusin

Sep 29, 2011 | 10:27
Catherine Ashton dhe Stefan Fyle

Shqipëria pritet të mos e marrë për të dytin vit statusin e vendit kandidat. Komisioni Europian ka bërë gati progres-raportin, i cili do të publikohet më 12 tetor dhe, sipas të gjitha gjasave, Tirana zyrtare do të marrë sërish një përgjigje negative. Top Channel ka publikuar dje pjesë nga raporti i KE-së, që do të bëhet publik në Bruksel. “Skena e brendshme politike e Shqipërisë u dominua gjerësisht nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e konfrontueshme më tej. Përleshjet e dhunshme ndërmjet protestueseve kundër qeverisë me policinë çuan në vdekjen e 4 personave dhe amplifikuan klimën e mosbesimit mes forcave politike, sikundër dhe ndaj disa institucioneve shtetërore. Zgjedhjet lokale në maj, megjithëse të vlerësuara si konkurruese e transparente, u shënjuan vendosmërisht nga parregullsitë që nevojitet të adresohen. Në veçanti, polemika rreth numërimit të votave për kryebashkiakun e Tiranës rriti polarizimin mes shumicës qeverisëse dhe opozitës”, thuhet në raport. Sipas këtij dokumenti të KE-së, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në arritjen e kritereve politike për anëtarësim dhe në 12 prioritetet për hapjen e negociatave. “Megjithatë, përpjekje të mëtejshme kërkohen për të garantuar efektshmërinë dhe plotësimin e veprimeve të parashikuara, përfshirë bashkëpunimin e ngushtë me opozitën. Shqipëria do të duhet të bëjë përpjekje të qëndrueshme dhe të arrijë progres të tregueshëm në të gjitha këto çështje, përpara se Komisioni të mund të rekomandojë status kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE”.

© Panorama.al

Te lidhura