
BERAT – Pushteti vendor në Berat në krizë financiare, ulen pagesat e punonjësve të administratës. Mungesa e kompensimit të kasave fiskale, marrja e fondeve të grantit nga qeveria bashkive dhe komunave ka bërë që këto njësi vendore të mbeten në pikë të hallit. Këto dhe shumë shkaqe të tjera që kanë këto njësi vendore kanë bërë që punonjësit e tyre të mbeten pa marrë rrogat mujore. Një pjesë e bashkive janë të detyruara që të ulin pagesat e pagave në 80 ose 70 për qind të tyre për mungesë fondi. Burime nga bashkitë e qarkut dhe komunat e Beratit bëjnë të ditur për gazetën se në muajin gusht qeveria u ka marrë një përqindje të fondit të granteve për interesat e veta. Sipas drejtuesve të komunave dhe bashkive të qarkut Beratit bëhet e ditur se kushtëzimi i fondit të grandit, që është dhe baza e këtyre njësive, ka rrezikuar seriozisht gjendjen në këto njësi, por në veçanti ky rrezik ka lënë gjurmë në bashki. Burime zyrtare nga Bashkia e Beratit bëjnë të ditur se në muajin gusht qeveria u ka marrë nga fondi grant 81 milionë lekë, i cili ishte destinuar për pagat e administratës dhe aktivitete të ndryshme të Bashkisë. Po këto burime bëjnë të ditur se shteti nuk ka kompensuar kasat fiskale, të cilat nuk i ka lëvruar sipas një marrëveshjeje që është bërë midis bashkive dhe qeverisë. Duke shtuar këtu dhe shifrat e ulëta të të ardhurave lokale, Bashkia e Beratit ka paguar punonjësit e saj vetëm 80 për qind të pagës mujore. Sipas burimeve të kësaj Bashkie, nëse qeveria nuk u kthen paratë e grantit dhe nuk u kompenson kasat fiskale, atëherë nuk do të shlyhen dot as pagat. Kryetari i Bashkisë Urë – Vajgurore, Syrja Ormenaj, u shpreh se institucionit që ai drejton i është marrë fondi prej 8 milionë lekësh. Ai thotë se punonjësit e Bashkisë kanë vonesa dymujore në marrjen e rrogës. E njëjta situatë mësohet se është dhe në Bashkitë e Kuçovës, Poliçanit dhe Çorovodës. d.xh











