Bashkia: S’do të rritet çmimi i biletës së urbanëve

Jan 24, 2012 | 12:19

Lulzim Basha

Dje takimi. Basha, garanci nga investitorët gjermanë për investime në Shqipëri

Çmimi i biletave në linjat urbane të kryeqytetit nuk do të rritet. Këtë garanci u ka dhënë dje të gjithë qytetarëve Bashkia e Tiranës. “Për linjat urbane të qytetit të Tiranës nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë rritje të çmimit të biletës në mënyrë arbitrare. Asnjë operator që operon në linjat urbane të qytetit të Tiranës nuk mund të ndryshojë çmimin e biletës në mënyrë të njëanshme”, tha dje gjatë një konference për shtyp zëdhënësja e Bashkisë së Tiranës, Anila Bisha. Sipas saj, çdo vendim i tillë do të çojë në marrjen e masave penalizuese deri në anulimin e kontratës së operatorit. Ndërkohë, dje kryebashkiaku Basha priti në një takim presidentin e shoqatës ekonomike gjermano-shqiptare, Hans Juergen Mueller dhe Anette Kasten, drejtore e filialit të Dhomës Gjermane të Industrisë. Investitorët gjermanë kanë shprehur interes të veçantë për të investuar në Tiranë dhe për t’u bërë pjesë e projekteve të zhvillimit të Tiranës. Më konkretisht, investitorët gjermanë kanë shprehur interes për projektin e zgjatimit të bulevardit, si dhe për ndërtimin e terminalit multimodal të pasagjerëve. Basha njohu bashkëbiseduesit me masat që Bashkia e Tiranës ka marrë për një qytet sa më miqësor për biznesin, ku biznesi mund të operojë me procedura më transparente, më të shkurtra dhe të paguajë një taksë më të ulët, në mënyrë që zhvillimi ekonomik i qytetit të njohë vazhdimësi.

© Panorama.al

Te lidhura