
Përplasje mes Policisë Bashkiake dhe pronarëve të kompleksit “Tajvani”, te parku “Rinia” në kryeqytet. Nuk kanë munguar edhe kërcënimet.Për to, kreu i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, pritet të bëjë një kallëzim penal. Shkak u bë nisja e aksionit për lirimin e hapësirave publike, të zëna në mënyrë të paligjshme nga lokalet. Por, ata kanë hasur në rezistencën e pronarëve, të cilët kanë kundërshtuar aksionin. “E kemi bërë vetë lulishten, rrugën, çdo gjë këtu. Kemi paguar 1 milion dollarë, ju vini e prisni pemët”, iu drejtua me tone të ashpra njëri prej menaxherëve të lokalit kreut të Policisë Bashkiake. Nuk mungoi edhe fërkimi me forcat e policisë. Por, pavarësisht kësaj, aksioni u mbyll me sukses. “Sot, po u kthejmë qytetarëve të Tiranës një hapësirë të zënë në mënyrë të paligjshme. Në mënyrë abuzive nga vetë Bashkia e Tiranës ishte dhënë për parking nga hapësirë e gjelbër. Ne po ushtrojmë një kontroll mbi sipërfaqen e ndërtimit këtu dhe kemi plotësuar një sërë shkeljesh. Bashkia e Tiranës do t’u kthejë qytetarëve çdo hapësirë që atyre u takon, duke nisur nga parkingu tek Pallati i Kulturës, ku vetë Bashkia ka zënë hapësirën qytetare e kudo në Tiranë, ku në kundërshtim me ligjin ka ndodhur ky fenomen”, u shpreh para mediave, drejtori i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. Kreu i Policisë Bashkiake tha se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme. Sipas Policisë Bashkiake, aksioni nesër do të vazhdojë në hapësirën mbrapa Pallatit të Kulturës, për ta kthyer edhe atë një hapësirë të gjelbër, në shërbim të komunitetit. Në deklaratën e saj për mediat, Bashkia e Tiranës deklaroi se presionet dhe kërcënimet nuk do të ndalojnë aspak punonjësit e saj që të zbatojnë ligjin dhe të mbrojnë interesat e qytetarëve. “Sipas procedurës, Policia Bashkiake u kërkoi pronarëve të operatorit “Taivan”, dokumentet e pronësisë. Pronarët nuk paraqitën asnjë dokumentacion ligjor. Gjatë aksionit, Policia Bashkiake ka ndeshur në rezistencën e menaxherëve të Taivanit, të cilët e kanë kërcënuar drejtorin e Policisë Bashkiake. Këto presione nuk na pengojnë në punën tonë, e cila do të jetë vetëm në shërbim të qytetarëve të Tiranës”, thuhet në deklaratën për mediat. Sipas saj, hapësira e betonizuar dhe e përdorur për parking do të kthehet nga Bashkia e Tiranës në lulishte dhe do të jetë tashmë në funksion të qytetarëve të kryeqytetit. Dy ditë më parë, Policia Bashkiake kreu një tjetër aksion lidhur me zhurmat e shkaktuara nga lokalet. Inspektorët kërkuan zbatimin e ligjit nga të gjitha subjektet. Sipas tij, për lokalet e hapura ditën e premte dhe të shtunë, zhurma e lejuar është e përcaktuar sipas standardeve të pranueshme dhe mund të aplikohet nga ora 19:00-24:00. Ndërsa për ditët e zakonshme të javës, orari i lejuar është 19:00-23:00. Ambientet e mbyllura nuk kanë kufizim të orarit, por duhet të respektojnë nivelin e lejuar të zhurmës, në mënyrë që të mos shkaktojnë shqetësim në komunitet.
Kryebashkiaku Basha: Trami i Tiranës,tenderi brenda vitit
“Jemi të vendosur për projektin e Tramit, projekt që është vënë në lëvizje nëpërmjet përgatitjes së termave të referencës, tenderimi i të cilit nis këtë vit”. Këtë deklaratë bëri dje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, gjatë takimit me ambasadorin e delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi. Kryetari i Bashkisë e njohu ambasadorin me prioritetet e administratës së tij, që kanë të bëjnë me arritjen e standardeve europiane, për cilësinë e jetës në qytet, si dhe kërkoi mbështetjen e këtyre projekteve nga Bashkimi Europian. Objektivat kryesorë kanë të bëjnë me pakësimin e ndotjes së ajrit, shtimin e hapësirave të gjelbra, përmirësimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Gjithashtu, Basha kërkoi mbështetje edhe për projektet strategjike, si ndërtimi i bulevardit të ri, rehabilitimi i Lumit të Tiranës, ndërtimi i parkut të ri të Tiranës, përmirësimi i transportit publik, linja e tramvajit, apo edhe ndërhyrja në lagjet a komunitetet e Tiranës, me synim përmirësimin e cilësisë së jetës. Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim.
ZIRINA LLAMBRO











