
TIRANË- Kryebashkiaku, Lulzim Basha me rastin e 99 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Tiranës, u takua me pinjollet e familjeve të firmëtarëve të aktit të Pavarësisë për kryeqytetin. Takimi u organizua në shtëpinë muze të piktorit të mirënjohur Sali Shijaku, Artist i Popullit.
Basha nderoi familjen e vjetra të kryeqytetit të cilat sipas tij, në një moment kyç të historisë, luajtën një rol të rëndësishëm me ngritjen e Flamurit në Tiranë. “Me punën dhe përkushtimin tonë, që buron pikërisht nga vizioni i këtyre etërve të Tiranës, që ngritën flamurin këtu më 26 nëntor, ne do të vazhdojmë të konsolidojmë rolin e Tiranës, në Shqipëri, rajon e Europë. Sfidat e etërve të familjeve të mëdha që ngritën flamurin më 26 nëntor ishin të mëdha, edhe të brezave pasardhës”, tha Basha.
Ai theksoi se sot hapet sipari i një viti të veçantë për këtë kryeqendër shqiptare dhe për kombin shqiptar, viti I 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. “Sot ky sipar hapet dhe do të ndiqet nga aktivitete të shumta. Qendra e këtyre aktiviteteve do të jetë ajo në ish-Nënprefekturë, ku familjet e mëdha të Tiranës ngritën flamurin më 26 Nëntor dhe që sot është qendra më e madhe e shqiptarëve në botë, qyteti i Tiranës”- tha Basha, duke shtuar se Bashkia në bashkëpunim edhe me institucionet qendrore qeverisëse po hartojnë një program shumë intensive, në qendër të të cilit do të jetë edhe historia, edhe figurat historike, por do të jenë pa dyshim edhe e sotmja dhe e ardhmja e Tiranës, ajo çka ne i ofrojmë Shqipërisë, Kosovës dhe viseve shqiptare kudo në Ballkan, shqiptarëve kudo në botë dhe fqinjëve tanë në rajon.
Të pranishëm ishin përfaqësues të familjeve Gjinali, Toptani, Kadiu, Pazari, Banka, Shehri, Beshiri, Petrela, dhe Papajani. Përkatësisht pasardhës të dhjetë firmatareve të aktit të pavarësisë në Tiranë: Refik Toptani, Abdulla Gjinali, Xhelal Toptani, Sulejman Kadiu, Sheh Ahmet Pazari, Isuf Aqif Banka, Muderis Hysen Shehri, Myslim Beshiri , Selim Petrela , dhe Papa Nikolla Papajani. Krahas pinjollëve të këtyre familjeve në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të familjeve të pjesëmarrësve të tjere në ngritjen e flamurit si Dalliu, Maçi, Ndroqi etj.
© Panorama.al











