Basha u përgjigjet banorëve: Hipotekat, brenda 15 nëntorit

May 3, 2011 | 10:59

Kandidati për kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, u premtoi banorëve të Njësisë Bashkiake Nr. 7 hipotekim të shpejtë të pronave të tyre”.Leja e shfrytëzimit nga Bashkia do të mbyllet në kohën më të shkurtër. Maksimalisht më 15 nëntor ju do të keni hipotekat”, iu përgjigj Basha shqetësimit të një banori, i cili u ankua se nuk ka marrë hipotekën e banesës së tij që prej 9 vjetësh. Basha i garantoi banorët e Tiranës se pas 8 majit do t’u jepen fund praktikave abuzive me pronën private. Banorët e Njësisë Bashkiake Nr. 7 shprehën shqetësimin për prishjen e ndërtimeve të tyre nga Bashkia dhe për ndërti-min e rrugëve pa i njoftuar, pa plan dhe pa dëmshpërblim për pronën e tyre. “Na kanë prishur muret pa shpronësim, pa leje, pa gjë fare. Absolutisht pa gjë fare. Vetëm për fushatë po bëhet kjo. Asgjë, as për ujërat e bardha, as për ujërat e zeza. Uji i pijshëm këtu është kot”, i tha Bashës një banor. “Do ta fillojmë me një marrëdhënie të re, ku qytetarët dhe Bashkia të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe t’i marrin vendimet me konsensus. Për çdo gjë që bëhet për lagjet tona, çdo gjë që ka lidhje me shtëpitë tona, ju do të dini, në radhë të parë, se çfarë projektesh ka. Së dyti, do të keni mundësi të bashkëvendosni me njësitë bashkiake dhe Bashkinë për këto projekte. Çdo centimetër katror i pronës suaj do të respektohet”, u shpreh Basha.

Incidenti te Inxhinieria
Kandidati demokrat Lulzim Basha zhvilloi dje një takimi me studentë të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku ka folur për vizionin e tij për qytetin dhe të rinjtë. Por, gjatë takimit, pedagogia e Algjebrës, Flora Hanelli, i ka ndërprerë fjalën kandidatit demokrat duke e akuzuar si vrasës. Akuzave të pedagoges u janë përgjigjur truprojat e Bashës, duke e nxjerrë atë jashtë, ndërsa Basha e ka vazhduar fjalën e tij para studentëve i qetë. Ky incident është filmuar nga të pranishmit dhe është bërë menjëherë publik.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura