Duke nisur nga dje, nëpër tregjet e kryeqytetit do të aplikohet etiketa standarde e çmimeve të produkteve. Projekti i Bashkisë së Tiranës ka nisur fillimit zbatimin në tregun e fruta-perimeve tek ish-uzina “Dinamo” në kryeqytet. Brenda një kohe të shkurtër do të shtrihet në të gjitha tregjet e vendit. Etiketat do të përmbajnë emrin e produktit, origjinën, cilësinë dhe çmimin. Në ditën e mbrojtjes së konsumatorit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, tha se kur ka vullnet, ka gjithmonë mënyra për të mbrojtur konsumatorët dhe një gjë e tillë u dëshmua më së miri me çmimet në prag të festive të fundvitit. Duke parë nga afër vendosjen e etiketave të reja të çmimeve në tregun e ish-uzinës “Dinamo”, Basha e konsideroi këtë nismë një akt transparence, sigurie dhe parashikueshmërie për konsumatorët kryeqytetas. “Në këtë kuadër kam kënaqësinë të konstatoj sot vendosjen e etiketave të çmimeve të përhershme në tregun e uzinës ‘Dinamo’, por që do të shpërndahet në të gjitha tregjet e qytetit të Tiranës si një akt transparence, sigurie dhe parashikueshmërie për konsumatorët kryeqytetas”, tha Basha. Ai theksoi se lufta ndaj informalitetit, do të vazhdojë të mbetet sfida kryesore e Bashkisë. “Tregjet e Tiranës kanë probleme me informalitetin, probleme të theksuara, i cili ofron konkurrencë të pandershme ndaj tregtarëve që tregtojnë në kushtet e formalitetit. Dhe një nga drejtimet kryesore të punës së Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, sikundër të shërbimit të Tatim-Taksave të Bashkisë së Tiranës dhe Policisë Bashkiake, do të jetë lufta e vazhdueshme ndaj informalitetit”, tha Basha. Sipas kryebashkiakut, shumë shpejt nga ana e Bashkisë do të nisin edhe investime, të cilat do të zgjasin në kohë në lidhje me krijimin e kushteve më të mira për tregtimin e mishit dhe nënprodukteve të tij, një nga mallrat ushqimore që sot, sipas kryetarit të Bashkisë, tregtohet në kushte jo të duhura higjieno-sanitare. “Do të vazhdojmë me hapat e tjerë që do të sigurojnë një frenim të abuzimit me çmimet dhe mostolerim të këtij abuzimi, si një nga problemet kryesore të tregjeve të qytetit dhe si një nga premtimet kryesore të mbajtura të administratës sime”, u shpreh kryebashkiaku.











