Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha dhe kryetari i komunës Çair të Shkupit, Izet Mexhiti do të vendosin zyrtarisht gurthemelin për sheshin “Skenderbeu” më 17 janar në Shkup.
Në këtë datë do të nisin edhe aktivitetet për shënimin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar dhe Ditës së Flamurit.
Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti ka deklaruar për agjencinë e lajmeve INA se është i nderuar për pjesëmarrjen e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe se Shkupi do të dëshmoj se është një vatër e shqiptarëve dhe do të mbajë një shesh te madh ashtu siç e ka Tirana me Skenderbeun.
“Ne jemi të nderuar me ardhjen e kryetarit të bashkisë së Tiranës, në hapjen solemne të punimeve të sheshit. Kjo ide e jona për këtë shesh vjen nga Tirana, atje ku është përmendorja e Skenderbeut”, ka theksuar Mexhiti.
Këshilli organizativ për shënimin e 100 vjetorit sot do të zhvillojë takimin e parë ku do të caktojnë agjendën lidhur me fillimin e manifestimeve. (INA)
© Panorama.al











