
Trafiku, menaxhimi i mbetjeve e mbrojtja e mjedisit. Këto do të jenë fushat me përparësi të Bashkisë së Tiranës, ku do të bashkëpunohet edhe me OSBE-në. Për gjithçka u ra dakord gjatë takimit që kreu i Bashkisë së Tiranës bëri me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth. OSBE është e angazhuar gjithashtu të bashkëpunojë me Bashkinë, në drejtim të riciklimit të mbetjeve urbane dhe në përgjithësi sa i përket pastërtisë në qytet. Basha e informoi ambasadorin edhe me zhvillimet e tjera në Bashki, që kanë të bëjnë me Planin Urbanistik, infrastrukturën, hapësirat e gjelbra, si dhe me planet për ndërhyrjet e menjëhershme për rregullimin e trafikut, siç janë ndërhyrjet tek sheshi “Skënderbej” dhe tek rrethrrotullimi i Doganës. “Do të bashkëpunojmë me OSBE, si në drejtim të ndërgjegjësimit në lidhje me pastërtinë në qytet, ashtu dhe me projekte konkrete”, tha kryetari i Bashkisë para mediave. Ai vuri theksin tek mbetjet, trajtimin e tyre dhe në tërësi të pastrimit e mjedisit, si dhe projekteve në të ardhmen, në këtë drejtim. Sipas kryebashkiakut, kjo ka të bëjë me planifikimin e hapësirave të mëdha të gjelbra, si krijimi i një parku të ri, prioritet i administratës, si dhe ndërhyrje të vogla në gjelbërim, në çdo lagje të Tiranës, por edhe ndërhyrje të menjëhershme. Ambasadori i OSBE e vuri theksin edhe tek përfshirja e shoqërisë civile. “Një aspekt i rëndësishëm i këtij bashkëpunimi është se do të përfshihet shoqëria civile dhe puna do të kryhet në çdo lagje të qytetit”, tha Volfarth.











