Basha: Investimi te Ujësjellësi i Selitës përfundon për 4 muaj

Sep 20, 2012 | 13:48
Basha me banorët e rrugës “Ilia Dilo Sheperi”

Nis puna për ndërtimin e rrugës “Ilia Dilo Sheperi” në Njësinë Bashkiake Nr. 5 dhe ujësjellësit të Selitës. Ky i fundit pritet të përfundojë për 4 muaj. Rruga e re lidh dy zona të rëndësishme dhe me impakt në reduktimin e trafikut. Ajo bashkon Selitën me segmentin e ri të Unazës së Madhe. Është parashikuar të jetë me gjerësi 6 metra dhe në të dyja anët e rrugës do të ndërtohen  trotuare për kalimin e këmbësorëve.”Ka 13 vjet që në këtë rrugë, kandidatë dhe kryetarë bashkie kthehen vetëm për fushatë. Rruga i shërben një komuniteti rezident prej 2500 banorësh, ndërkohë që shërben edhe si rrugë lidhëse midis zonës së Selitës dhe zonës së Unazës së Re”, tha Basha dje gjatë inspektimit të punimeve.
Ky investim i Bashkisë së Tiranës, prej 40.4 milionë lekësh parashikon edhe ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të bardha, ndriçim, gjelbërim, ndërsa është paraprirë nga ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për zonën e Selitës.
“Ujësjellësi i paraprin investimit, me shtrimin e rrjetit me një vlerë prej 30 milionë lekësh të rinj dhe pas kësaj nis rehabilitimi apo ndërtimi i rrugës, sepse në fakt nuk është ndërtuar asnjëherë, me të gjithë parametrat”, tha kryebashkiaku.  Ai do të përfundojë sipas kontratës për 10 muaj, por sipas angazhimit të kontraktorit për 4 muaj. “Një element tjetër i rëndësishëm është zëvendësimi i mureve që do të prishen, si rezultat i ndërtimit të rrugës me kangjella, si pjesë e angazhimit tonë për t’u ofruar lagjeve ku ne ndërhyjmë në infrastrukturë një profil më qytetar, një profil më europian”, theksoi kreu i Bashkisë së Tiranës.
Inaugurimi i fillimit të punimeve në rrugën “Ilia Dilo Sheperi” i paraprin fillimit të punimeve, në dy rrugë të tjera të Njësisë Bashkiake Nr.5, të cilat do të sjellin një ndryshim në cilësinë e jetës së banorëve të kësaj lagjeje dhe një përmirësim të ndjeshëm në trafikun e rënduar të kësaj lagjeje të mbipopulluar, ku janë ndërtuar shumë objekte, por pak rrugë, në 15 vitet e fundit.

Plani Urbanistik
Pak ditë më parë nisën konsultimet për planin urbanistik të Tiranës. Pas Njësisë Nr.8, plani do të diskutohet me qytetarët edhe në 10 njësitë e tjera vendore. Sipas kryebashkiakut Basha, miratimi i tij do të bëhet vetëm pasi të merren mendimet dhe sugjerimet e qytetarëve.

© Panorama.al

Te lidhura