
Presidenti Bujar Nishani nisi dje takimin e parë zyrtar në Bruksel nga momenti që mori postin e kreut të shtetit. Fillimisht ai u takuam me Presidentin e Këshillit Europian, Herman van Rompui, dhe më pas me Presidentin e Komisionit Europian, Xhoze Manuel Barroso. Mesazhi i krerëve të BE-së ishte i përbashkët për Tiranën zyrtare, ku evidentohej progresi i bërë dhe bëhej thirrje për të vazhduar me këtë klimë konsensuale. “Jam plot besim se Shqipëria me njerëzit e saj do të tregojnë vendosmërinë dhe kapacitetin për të vazhduar drejt kësaj faze. Shqipëria po bën përparim dhe hapa gjigantë për të vazhduar drejt rezultateve pozitive që kanë të bëjnë me integrimin në Bashkimin Europian. Madje, unë i nxis të gjithë aktorët politikë në vend që të mbajnë një konsensus të fuqishëm dhe të mirë për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Barroso. Ndërsa Presidenti i Këshillit Europian theksoi se “tani është e rëndësishme që reformat politike të vazhdojnë. Inkurajoj si qeverinë, ashtu edhe opozitën, që të shfrytëzojnë bashkërisht këto momente për të arritur rezultate konkrete në rrugëtimin europian, duke u përpjekur të përmbushin 12 përparësitë kyçe të vëna në pah nga opinioni i Komisionit. Të mos harrojmë që respektimi i shtetit të së drejtës, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, është thelbësore. Unë e mirëpres përkushtimin e fuqishëm të Presidentit Nishani ndaj reformës në Gjyqësor”. Nga ana e tij, Presidenti Nishani e vuri theksin te plotësimi i rekomandimeve dhe garantoi se në pozicionin e kreut të shtetit do të kontribuojë për konsolidimin e frymës së bashkëpunimit mes palëve. “E informova Presidentin Barroso për rishikimin e kuadrit ligjor, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe gjykatësve, për reformën në sistemin gjyqësor që synon konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. E sigurova Presidentin Barroso mbi përkushtimin tim të fortë si President i Shqipërisë për të bërë më të mirën në mënyrë që të kontribuoj drejt konsolidimit të frymës së bashkëpunimit që të gjitha palët të vazhdojnë të jenë të përfshira e të përkushtuara në këtë proces, deri në suksesin e tij”, tha Nishani.











