Barrikadat, KFOR-i heq telat me gjemba, por mbetet betoni

Sep 21, 2011 | 11:05

Vija kufitare e Kosovës me Serbinë dhe doganat në këtë linjë mbeten një pikë e re e fortë tensioni mes dy vendeve, me gjithë përpjekjet e KFOR-it për të eliminuar barrikadat e minoritet serb në Veriun e Kosovës.Beogradi duket i vendosur të luftojë për të marrë atë pjesë të territorit të Kosovës, edhe pse po kundërshtohet fort nga pjesa më madhe e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos Shtetet e Bashkuara dhe vendet më të fuqishme të BE-së, të cilat kanë mbështetur integritetin territorial të Kosovës. Edhe në takimin e fundit të Presidentes Atifete Jahjaga dhe Kryeministrit Hashim Thaçi me Sekretaren Amerikane të Shtetit, Hilari Klinton, u mor edhe një herë garancia se SHBA mbështet territorin e Kosovës ashtu siç është njohur deri tani nga kjo superfuqi. Megjithatë, sekretarja Klinton kërkoi që dialogu mes dy vendeve të vazhdojë, si e vetmja rrugë për të arritur një zgjidhje të paqme të konfliktit. “Administrata amerikane do të vazhdojë angazhimin e saj në ndihmë të Kosovës, në rrugën e saj drejt integrimeve europiane”, tha Klinton. Ajo përshëndeti përkushtimin e Kosovës për të çuar përpara dialogun me Serbinë. Presidentja e Kosovës e hodhi poshtë planin e ri “Ahtisari Plus”, i cili parashikon një status të veçantë për tri komunat e Veriut, si një zgjidhje për problemin në Veri, pasi ky opsion, sipas saj, do të minonte arritjet në Kosovë dhe nuk garanton integrim, por ndarje. Jahjaga garantoi Klintonin se operacioni në tri komunat veriore është ndërmarrë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë. Ushtarët gjermanë dhe ata francezë të KFOR-it dje kanë hequr telat me gjemba që bllokonin rrugët për në Serbi dhe pjesërisht në Kosovë. Tela të tillë ishin vendosur në pikën kufitare 31 në Bërnjak. Por sërish bllokimi i rrugës nuk është evituar plotësisht, pasi ka mbetur ende zhavorri dhe betoni i hedhur nga banorët serbë.

Dështon hyrja në Serbi
Mediat e Prishtinës kanë mësuar se asnjë kamion i nisur nga Kosova nuk ka arritur të hyjë në territorin e Serbisë. Kjo do të thotë se marrëveshja po zbatohet njëanshëm, vetëm nga Kosova, ndërsa autoritete serbe po e shfrytëzojnë atë për futjen e kamionëve me mallra serbe në territorin e Kosovës. Deri dje, kanë hyrë mbi 200 kamionë, vetëm në katër ditët e fundit. Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, tha për “REL” se ende nuk dihen motivet e kthimit të kamionëve kosovarë. Qeveria e Kosovës ka njoftuar Uashingtonin dhe Brukselin për bllokimin e mallrave kosovare nga Serbia, e cila në këtë mënyrë po shkel marrëveshjen e arritur më 2 shtator në Bruksel.

© Panorama.al

Te lidhura