Barrikadat, dy ushtarë të KFOR-it plagosen me armë

Nov 28, 2011 | 13:06

Dy ushtarë të KFOR-it janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri nga protestuesit serbë teksa KFOR po punonte për heqjen e një barrikade në  Jagnjenicë në Zubin Potok. Lajmin e ka bërë me dije zëdhënësi i forcave paqeruajtëse në përbërje të KFOR-it, Frenk Martin. Sipas tij, është  përdorur plumba gome e gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën e protestuesve, e cila po kundërshton heqjen e barrikadës.

Mediat serbe ndërkaq citojnë zyrtarë të shtëpisë së shëndetit në Zubin Potok, të kenë thënë se “30 – 50 qytetarë kanë marrë lëndime gjatë konfrontimeve të sotme, por që asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën”.

Përplasja e sotme pason atë të 24 nëntorit, ku 21 ushtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime, pas përpjekjeve për të larguar një barrikadë në veri të Kosovës.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën kah mesi i muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore, të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.

© Panorama.al

Te lidhura