Barcelona ka barazuar në ndeshjen e kthimit ndaj Realit të Madridit, duke u kualifikuar për në finalen e madhe të Kupës së Kampioneve, e cila do të zhvillohet më 28 maj në Uembli të Londrës.Katalanasit, ashtu si në takimin e parë në “Santiago Bernabeu”, dominuan totalisht ndeshjen duke detyruar Realin që, si asnjëherë tjetër gjatë këtij sezoni, të mbyllet sërish në gjysmëfushën e vet. Por, të paktën në krahasim me katër ndeshjet e tjera ndaj Barcelonës për këtë sezon (dy në kampionat, dy në Kupën e Kampioneve dhe një finale të Kupës së Mbretit), luajtën më shumë në sulm duke u munduar që sulmeve të Barçës t’i kundërpërgjigjeshin me të njëjtën monedhë. Natyrisht edhe kjo risi e Mourinjos, i cili nuk ishte në stol në këtë takim, pasi ishte i pezulluar për shkak të kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e parë, nuk rezultoi shumë efikase, pasi Mesi & company arritën që jo vetëm të shënonin të parët me anë të Pedro Rodriguezit, por edhe gati “të talleshin” me madrilenët. Madje, pikërisht kjo gjë i ndëshkoi në rastin e golit të barazimit. Disa pasime me një takim në gjysmëfushë, në gabim i Maskeranos bëri që Di Maria të gjuante fillimisht në drejtim të portës, por topi do të përplasej në shtyllë dhe më pas të pasonte te Marcelo, i cili nga fare pranë arriti të shënojë golin e barazimit. Por ky nuk mjaftoi për të çuar Realin në finalen e Uemblit, pasi takimi i parë në Madrid kishte përfunduar 2-0 për Barcelonën. Kështu, pas 24-ditësh, blaugranat do të udhëtojnë 1558 km (kjo është distanca reale nga stadiumi Camp Nou në Barcelonë deri në Uembli të Londrës) për të luajtur 90 minutat e fundit të këtij kompeticioni, me shpresën se do të fitojnë për herë të katërt Kupën e Kampioneve (e ka fituar më parë në 1991-92, 2005-06 dhe 2008-09, ndërkohë që ka qenë finaliste edhe në 1960-61, 1985-86 dhe 1993-94).
Barcelona 1
Real Madrid 1
Shënues: Pedro 54’/ Marcelo 64′
Kartonë të verdhë: Pedro/ Rikardo Karvajo, L.Diarra, Ksabi Alonso, Marcelo, Adebajor
Barcelona: Valdes, Daniel Alves, Piké, Maskerano, Pujol (Abidal 89′), Ksavi, Buskets, Iniesta, D.Villa (Keita 74′), Mesi, Pedro (Afelaj 90′). Trajner: Pep Guardiola
Real Madrid: Kasijas, Arbeloa, Raul Albiol, Rikardo Karvajo, Marcelo, Ksabi Alonso, L.Diarra, Ronaldo, Kaka (Ozil 60′), Di Maria, Higuain (Adebajor 56′).
Trajner: Oitor Karanka











