Banka: Pse zgjodhëm të mbajmë inflacionin 3 për qind

Jan 5, 2012 | 12:28

Guvernatori i BSH, Ardian Fullani

Strategjia 2012-2014: Lëvizjet e lekut të përfarohen me normën bazë.

Banka e Shqipërisë ka zgjedhur që për tri vitet e ardhshme të ketë si objektiv ruajtjen e një niveli inflacioni 3 për qind me një ndryshim +/-1, ashtu sikurse ka qenë deri më tani. Në dokumentin e Politikës Monetare 2012-2014 shpjegohen edhe arsyet se pse është zgjedhur ky nivel dhe jo një më i lartë apo më i ulët. Shënjestrimi i një norme pozitive inflacioni ecën sipas Bankës së Shqipërisë në të njëjtin ritëm me evolucionin teknologjik të produkteve dhe përmirësimit cilësor. Nga ana tjetër, një normë e ulët inflacioni sipas saj ndikon pozitivisht në sistemin bankar dhe në ekonomi. “Norma e ulët e inflacionit ndihmon në ruajtjen e normave pozitive të interesit real. Normat pozitive të interesit real ndihmojnë në gjenerimin e kursimeve dhe të flukseve financiare për mbështetjen e investimeve në ekonomi, si dhe në ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar dhe të aftësisë së tij për të përmbushur funksionin e ndërmjetësimit financiar”, argumenton BSH në dokument. Nga ana tjetër, Banka vlerëson se inflacioni 3 për qind me një lëvizje +/- 1 është një nivel i përshtatshëm për ekonominë shqiptare si një ekonomi që ende përkufizohet në tranzicion. Ky nivel inflacioni vlerësohet të jetë edhe në përputhje me objektivin e vendit tonë për t’u bërë pjesë e BE-së. “Synimi për të kontrolluar rritjen e çmimeve në një nivel të përafërt, por më të lartë se objektivi i Bankës Qendrore Europiane, krijon hapësirën e nevojshme për rregullimet e duhura strukturore”, thuhet në dokumentin e Politikës Monetare.
Banka e Shqipërisë në dokumentin e saj të Politikës Monetare synon që të ketë një kontroll më të madh edhe mbi lëvizjen e lekut sidomos në operacionet mes bankave. Shpesh huat afatshkurta, që bankat marrin nga njëra-tjetra, kanë një kosto relativisht të lartë, çka ka një efekt zinxhir në sistem. Objektivi i BSH-së është që të përafrojë interesat me të cilët ofrohen këto hua në sektorin ndërbankar me normën e interesit të lekut, që vendoset nga Këshilli i Mbikëqyrjes. Kontrolli i normës për interesat afatshkurtër shihet nga Banka e Shqipërisë si një mënyrë e mirë për të kontrolluar edhe interesat afatgjatë në sistem.

3 per qind
është niveli i inflacionit i përcaktuar si objektiv nga Banka e Shqipërisë, ndërkohë që ky nivel ka tolerim +/-1 për qind. Banka e Shqipërisë në dokumentin e Politikës Monetare shpjegon arsyen se pse është zgjedhur si objektiv ky nivel pozitiv inflacioni.

Politika fiskale të kontrollojë borxhin
Në kohën që Banka e Shqipërisë përcakton si synim të sajin kryesor ruajtjen e inflacionit në nivelet e përcaktuara, për qeverinë vjen një këshillë tjetër, ajo e kontrollit të borxhit. Në dokumentin e saj Banka e Shqipërisë vlerëson se politika fiskale që zbatohet nga institucionet përgjegjëse në një afat të gjatë duhet të “orientohet nga ruajtja e qëndrueshmërisë së borxhit publik dhe e parametrave të tjerë të shëndetit buxhetor. Politika fiskale duhet të ankorohet në një rregull fiskal të qartë, të besueshëm dhe transparent”.

NERTILA MAHO

© Panorama.al

Te lidhura