Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Mun, ka shprehur shqetësimin se nga zhvillimet në Veri të Kosovës mund të destabilizohet i gjithë Ballkani. “Zhvillimet në Kosovën veriore shërbejnë për të kujtuar edhe një herë se çështjet e pazgjidhura përbëjnë kërcënim për paqen dhe stabilitetin e rajonit”, shkruan Ban ki Mun. “Jam i brengosur jo vetëm për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në terren, si rezultat i zhvillimeve të fundit, por gjithashtu edhe për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike anembanë Kosovës, polarizimin e qëndrimeve politike, si dhe zgjerimin e hendekut mes komuniteteve në veri dhe në jug të lumit Ibër”, shtoi ai.











