Ban Ki-moon: Veriu mund të destabilizojë rajonin

Nov 6, 2011 | 14:55

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon ka shprehur shqetësimin se zhvillimet në Veri të Kosovës mund të destabilizojnë tërë Ballkanin.

Në raportin e tij tremujor të cilin e ka siguruar Portali KosovaTimes dhe që u është dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, përshkruhen në mënyrë kronologjike ngjarjet në veri të vendit tonë. Një pjesë të konsiderueshme të raportit Shefi i OKB-së ia ka kushtuar edhe dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Raporti përmban edhe një aneks në të cilin pasqyrohet aktiviteti i EULEX-it gjatë muajve të fundit.

“Zhvillimet në Kosovën veriore shërbejnë si përkujtues i fuqishëm se çështjet e pazgjidhura përbejnë kërcenim për paqen dhe stabilitetin e rajonit”,  ka thënë Sekretari Ban.

Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm do të debatohet në seancën për Kosovën të Këshillit të Sigurimit që është caktuar të mbahet më 29 nëntor. Këtë muaj Këshillin e Sigurimit të OKB-së e kryeson Portugalia.

“Unë jam i brengosur jo vetëm për përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në terren si rezultat i zhvillimeve të fundit, por gjithashtu edhe për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike anembanë Kosovës, polarizimin e qëndrimeve politike si dhe zgjerimin e hendekut mes komuniteteve në veri dhe në jug të lumit Ibër”, ka shtuar ai.

Sipas tij, përderisa çështjet siç janë situata në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak të mbesin të pazgjidhura si dhe çështjet lidhur me sundimin e ligjit të mbesin të ndërlidhura me qëndrimet lidhur me statusin e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare dhe njerëzit në terren do të përballen me rrezikun e eskalimit të tensioneve si dhe shpërthimin e dhunës. “Kjo i mban peng të gjitha palët me një të ardhme të pasigurt”, ka thënë ai.

Ai shpreh keqardhje që dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është bllokuar, “kryesisht për shkak të zhvillimeve në Veri”.

Sekretari i Përgjithshëm u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit si dhe ndërkombëtarëve në Kosovë “të veprojnë me kujdes dhe durim dhe të vazhdojnë të tregojnë se kanë besim në dialog”.

“Jam i inkurajuar nga përpjekjet e fundit të palëve që të moderojnë retorikën lidhur me Veriun”, ka thënë Ban.  Ai thotë se është përgjegjësi e palëve të tregojnë përkushtim të plotë për dialog dhe pajtim e jo të përcaktohen për  aksione të njëanshme, dhunë ose përdorim të forcës.

“Do të vazhdojë të theksoj se ēështjet e ndjeshme që kanë të bëjnë me Veriun e Kosovës mund të zgjidhen vetëm  me mjete paqësore, duke marrë parasysh pikëpamjet e komuniteteve në terren”, ka thënë ai.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së shpreson se anëtarët e Këshillit të Sigurimit do t’i dërgojnë mesazh të qartë Prishtinës dhe Beogradit që të marrin përgjegjësi për zbutje të tensioneve dhe parandalim të përsëritjes së dhunës në veri të Kosovës.

Në raportin e tij, Ban Ki-moon thotë se KFOR-i do të mbajë përgjegjësinë për të siguruar lëvizje të lirë në tërë Kosovën.

Ai vlerëson se situata në veri të Kosovës i ka lënën në hije të gjitha zhvillimet tjera politike në Kosovë.

Sipas Sekretarit të OKB-së, aksioni i forcave speciale të Policisë, të dërguara në Veri më 25 korrik nga Qeveria e Kosovës, nuk ka qenë i koordinuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë.

Në raport përshkruhet aksioni i Policisë dhe reagimi i serbëve. Ban Ki-moon thotë se ka pasur shkëmbim zjarri gjatë lëvizjes së ROSU në Veri dhe një pjesëtar i Policisë speciale është vrarë afër Zubin Potokut.

Pas hetimeve të EULEX-it lidhur me këtë vrasje janë lëshuar gjashtë fletarreste . Në raport përmendet djegia e pikës doganore në Jarinje nga “disa individë”, barrikadat në rrugë,  dhe vendosja e zonave të kufizuara ushtarake të KFOR-it.

“Zbatimi i planit operativ më 16 shtator i përgatitur nga Qeveria e Kosovës dhe i koordinuar me KFOR-in dhe EULEX-in ka ēuar në forcim të barrikadave serbe”, ka thënë ai.

Në raport flitet edhe për sulmin e demonstruesve serbë në Jarinje ku janë lënduar  9 ushtarë të KFOR-it dhe dhjetëra serbë, sipas të dhënave të spitalit në veri të Mitrovicës.

Sekretari Ban thotë se ka marrë një letër nga Beogradi që të hetohet “përdorimi forcës së armatosur nga KFOR-i kundër civilëve serbë, por Shefi i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen i është përgjigjur se KFOR-i ka vepruar në përputhje me mandatin që ka dhe nuk ka nevojë për kurrfarë hetimi”.

Për dallim nga raportet e mëparshme, kësaj here Ban Ki-moon nuk përmend askund njohjet e reja për Republikën e Kosovës.

Kreu i Kombeve të Bashkuara thotë se UNMIK-u ka lehtësuar komunikimin mes Kosovës dhe Interpolit gjatë tre muajve të fundit me ç’rast janë pranuar kërkesat për 7 fletarreste ndërkombëtare, ndërkaq 11 tjera mbesin për t’u proceduar.

Në raportin lidhur me aktivitetin e EULEX-it, të cilin në OKB e ka deponuar baronesha Catherine Ashton, flitet për angazhimin e Misionit të BE-së në Veri, procedimin e rasteve për krime të luftës, korrupsion dhe krim të organizuar.

Dëshmitari i rastit “Kleçka” Agim Zogaj përmendet në të dy raportet.  Në atë të OKB-së thuhet se Zogaj, “ka qenë dëshmitar i mbrojtur i EULEX-it dhe sipas autoriteteve gjermane ka bërë vetëvrasje”.

Në raportin e EULEX-it për Zogajn thuhet se ka qenë dëshmitar në rastin “Kleçka” por ky Mision nuk raporton se ai ka qenë dëshmitari kryesor dhe nën mbrojtjen e tij.

Ban Ki-monn flet edhe për “betejën” mes Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe Ministrisë së Drejtësisë së Serbisë. Ministria kosovare nuk ka proceduar asnjë kërkesë e ardhur nga Ministria e Serbisë,  përmes UNMIK-ut. Por as ministria serbe nuk ka proceduar kërkesat e ministrisë së Drejtësisë së Kosovës e cila ia ka dërguar direkt në Beograd. (Koha Ditore)

© Panorama.al

Te lidhura