Alfred Lela, drejtuesi i Zyrës së Komunikimit në Partinë Demokratike, komentoi sot nga studio e News24 raportin më të fundit të Komisionit Europian për sundimin e ligjit në Shqipëri.
Ai deklaroi se rasti i Belinda Ballukut është një test për demokracinë shqiptare dhe integritetin e institucioneve dhe jo më kot BE këmbëngul në këtë pikë, duke e cilësuar si “gozhdë”.
Ai e lidhi këtë çështje edhe me drejtësinë dhe përpjekjet e kryeministrit për ta penguar, me qëllim mbrojtjen e ish-vartëses së tij të marrë të pandehur nga SPAK e GJKKO për akuza të rënda, deri në pastrim parash dhe korrupsion.
“BE vijon t’i bjerë gozhdës së çështjes Balluku, të cilën e ka personifikuar si një test të demokracisë dhe integritetit. Është një test për mënyrën sesi funksionon demokracia dhe për raportin mes drejtësisë dhe ekzekutivit”, u shpreh Lela mes të tjerash.
Sipas tij, raporti i Komisionit Europian vlerëson progresin e bërë nga reforma në drejtësi, por nuk ndalet vetëm te arritjet institucionale, pasi “evidenton edhe shqetësimet për ndërhyrjet politike dhe pengesat ndaj hetimeve për korrupsion në nivele të larta”.
“BE lavdëron reformën në drejtësi, por nuk i bie gozhdës në kokë. Ai që pengon drejtësinë është Edi Rama”, deklaroi Lela.
Raporti i KE-së për Shqipërinë përmendtte shqetësimet e ngritura pas vendimit të Kuvendit për të mos hequr imunitetin e një deputeti, pas kërkesës së SPAK-ut, si dhe diskutimet për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale që lidhen me pezullimin nga detyra të zyrtarëve gjatë proceseve gjyqësore.
Sipas Brukselit, këto zhvillime kanë ngritur pikëpyetje për respektimin e parimit të barazisë para ligjit dhe për rrezikun e krijimit të perceptimit të pandëshkueshmërisë.
Zgjedhjet në PD, Lela: Ripertëritja e plotë, nga 15 sekretariate, 13 janë për herë të parë!
Alfred Lela komentoi edhe zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve në PD dhe debatet e brendshme që shoqëruan procesin.
Ai ka deklaruar se “Ripërtëritja” në këtë forcë politike ka ndodhur plotësisht, transparent para kamerave dhe kjo bëhet në një vend ku nuk zhvillohen zgjedhje.
Lela u ktheu përgjigje dhe kritikëve dhe deklaroi se nuk duhet ngatërruar fakti se politikën në PD dhe frymën e përcjell Sali Berisha dhe jo Flamur Noka.
“Zgjedhjet janë të disatat në radhë që ishin live për të gjitha mediat dhe kjo i bën nder jo vëtëm PD, por edhe demokracisë në vend, këtë PD e bën me ndershmëri prej disa zgjedhjesh. Zgjedhjet në Shqipëri kanë problematika, jetojmë në një vend ku nuk bëhen zgjedhje dhe këtë nuk e thotë PD, por disa rezoluta. Korreshi përballë Nokës, vetëm 1 orë e 30 min para çfarë problemi ka këtu? Kam qenë vetë pjesë e garës për Kryesinë dhe e mora vesh kur isha në sallë, sepse kështu e kishte zgjedhur kryetari i partisë formulën. Janë dy kandidatura përballë njëra-tjetrës dhe ata po zgjidhen, ndryshe nga Rama që i emëron, këtu ka garë. Nëse njërit kandidat do t’i jepej kohë e tjetrit jo kjo do të ishte e padrejtë. Demokratët nuk mund të ankohen për statutin që kanë votuar vetë. Gjithçka monitorohet me kamera”, tha ai.
Lela hodhi poshtë akuzat për kapjen e Pd apo emrat e vjetër.
“Është ripërtëritur ekipi, s’duhet të hiqet kryetari që të quhet ripërtëritje. Ripërtëritja ka ndodhur katërcipërisht, nga 15 sekretariate, 13 janë për herë të parë, ka dominim të grave dhe të rinjve. Janë dy nënkryetarë të rinj Nikola Kedhi dhe Erisa Bajaziti. Gara për ata që fituan nuk ishte ditën e zgjedhjes, nis tani, përmes punës, duhet të justifikojnë besimin e kryetarit. Noka është menaxheri i partisë, e bën më mirë se të gjithë deri tani, nuk e di nëse do të dalë dikush tjetër. Menaxhon shumë mirë punët në PD. Ne i amalgamojmë emrin dhe profilin sepse themi që është flamuri politik, kur flamuri politik i PD është Sali Berisha. Frymën politike e përcjell Sali Berisha, e ka bërë Saliu ju ia kërkoni Flamurit. Kjo është fryma e PD”, deklaroi Lela.
© Panorama.al












