Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ditën e nesërme duhet të paraqitet në SPAK së bashku me një avokat për t’i komunikuar asaj akuzat për disa dosje penale.
Nuk dihet nëse do të paraqitet apo jo, por nëse nuk i bindit thirrjes ajo duhet të shoqërohet me forcë nga policia.
Ndërkohë sot, Balluku është shfaqur duke prezantuar drejtorin e ri të Postës Shqiptare, Etjen Xhafaj.
“Drejtori do të jetë Etjen Xhafaj. Është një bashkëpunëtor i hershëm i imi. Kemi punuar bashkë në disa pozicione. Sot drejtimi i postës shkon në duart e një profesionisti të sporvuar”, tha ndër të tjera Balluku.
Kujtojmë që Belinda Balluku refuzoi fletëthirrjen e parë të firmosur nga Prokurori Dritan Prençi për t’u paraqitur në SPAK, me justifikimin se ndodhej për një vizitë zyrtare jashtë vendit.
Më pas për të pati një fletëthirrje të dytë, për t’u paraqitur ditën e premte.
SPAK është e rezervuar për të dhënë detaje lidhur me çështjen që po e heton zëvendëskryeministren Balluku, pasi ndaj saj ka një sërë kallëzimesh penale, përfshirë edhe atë të tunelit të Llogarasë ku vlera e tenderit që u fitua nga një kompani turke u rrit me mbi 50 mln euro.
© Panorama.al











