“Balluku e pandehur, Ahmetaj në arrati!”- SPAK godet kupolën e pushtetit, dy zv.kryeministra të Ramës në akuzë për korrupsion! Rrjeti i abuzimeve të kryebashkiakëve socialistë

Jan 19, 2026 | 12:00

NGA VALENTINA MADANI/ Partia Socialiste në mbi një dekadë pushtet absolut po përballet me goditje të forta nga drejtësia, ku disa nga figurat më të larta të qeverisjes së saj janë hetuar, arrestuar apo shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK).

balluku ahmetaj veliaj rama ps tahiri

Rrethi politik i Kryeministrit Edi Rama është përfshirë nga arrestime, hetime dhe akuza të rënda, duke shënuar një precedent historik në politikën shqiptare. Nga qeveria te bashkitë, nga aleatët e djeshëm te figurat kyçe të pushtetit, panorama e sotme politike e qeverisë socialiste flet për një krizë besimi dhe përgjegjësie që trondit themelet e qeverisjes. Rastet e dy zv.kryeministrave të qeverisë socialiste, Arben Ahmetajt dhe Belinda Ballukut reflektojnë kulmin e kësaj situate, duke ekspozuar dyshime serioze për korrupsion në nivelet më të larta të pushtetit.

Kryeministri Rama e ka përdorur reformën në drejtësi si një armë politike dhe si provë të vullnetit të tij për të luftuar korrupsionin. Por sot, SPAK po heton pikërisht njerëzit që ai ka promovuar, mbrojtur dhe mbajtur në poste kyçe. Mbështetja publike për Belinda Ballukun dhe distancimi i vonuar nga Arben Ahmetaj e vënë në pikëpyetje serioze koherencën e qëndrimit të tij ndaj drejtësisë. Rasti më i bujshëm mbetet ai i Arben Ahmetajt, ish-zëvendëskryeministër dhe ish-ministër i Financave dhe Rindërtimit, i cili ndodhet në arrati që prej korrikut 2023.

SPAK e akuzon Ahmetajn për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, kryesisht në lidhje me aferën e inceneratorëve. Ai u largua nga Shqipëria vetëm disa orë përpara se Kuvendi të shqyrtonte kërkesën për arrestimin e tij. Nga jashtë vendit, Ahmetaj ka hedhur akuza të rënda ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë, duke deklaruar në një intervistë për RAI3 se, “grupet kriminale fitojnë tendera” dhe se në Kryeministri zhvillohen takime me figura të botës së krimit. Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej 24 korrikut 2023.

Ndërkohë, Belinda Balluku, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, është zyrtarisht e pandehur për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”. Hetimet lidhen fillimisht me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, një projekt me vlerë mbi 190 milionë euro, por SPAK dyshon se ajo ka ndikuar në paracaktimin e fituesve në të paktën 11 tendera me vlerë totale rreth 1.2 miliardë euro.

Nën hetim janë gjithashtu 7 lotet e Unazës së Madhe të Tiranës dhe disa projekte të tjera infrastrukturore. Prokuroria ka kërkuar heqjen e imunitetit të Ballukut, duke argumentuar se situata e saj penale është rënduar dhe se ekziston rreziku i ndikimit mbi dëshmitarët.

Balluku i ka mohuar akuzat, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka rikthyer përkohësisht në detyrë pas pezullimit. Por, opozita kërkon një zgjidhje politike për çështjen “Balluku”, për arrestimin ose jo të së cilës, Këshilli i Imunitetit do të mblidhet më 28 janar. Zhvillimet e fundit brenda mazhorancës qeverisëse tregojnë se drejtësia po shtrihet në nivelet më të larta të pushtetit, duke vënë në provë jo vetëm individët e përfshirë, por edhe modelin e qeverisjes së PS-së dhe përgjegjësinë politike të saj përballë qytetarëve.

Fakti që dy zëvendëskryeministra të Edi Ramës, në dy mandate të ndryshme, janë vënë nën akuzë nga SPAK përbën një nga goditjet më serioze politike për qeverisjen socialiste. Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku nuk janë figura periferike, por dy prej njerëzve më të besuar të kryeministrit, të cilët për vite me radhë kanë menaxhuar miliarda euro fonde publike dhe projekte strategjike të shtetit shqiptar, por sot janë të akuzuar për afera korruptive. Në një shtet demokratik, dorëheqja e një zyrtari të lartë të akuzuar për korrupsion do të duhej të ishte një akt normal përgjegjshmërie morale dhe politike.

Kryeministri Rama ka tentuar ta ndajë veten politikisht nga këto zhvillime, duke theksuar se “drejtësia duhet të bëjë punën e saj”. Por në realitet, shumë prej personave të arrestuar apo hetuar kanë qenë bashkëpunëtorë të afërt, të promovuar, mbrojtur dhe ricikluar në poste kyçe nga vetë kreu i qeverisë. Lista përfshin ish-zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati dhe i kërkuar ndërkombëtarisht për lidhje me aferën e inceneratorëve, si dhe Belinda Ballukun, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës, e cila po hetohet për manipulim tenderash me vlerë mbi 1.2 miliardë euro. Por rasti i dy zv.kryeministrave nuk është i vetëm.

Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, u dënua me 16 muaj burg për shpërdorim detyre; Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, u lirua pas katër vitesh për aferat e inceneratorëve, ndërsa Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, u arrestua në korrik 2024 për abuzime me fonde të BE-së dhe po hetohet për koncesione strategjike në shëndetësi. Teksa z.Rama i ka cilësuar këto çështje si “përgjegjësi individuale”, hetimet e SPAK-ut ndaj figurave kyçe të pushtetit po shihen si një provë e fortë për funksionimin e reformës në drejtësi dhe për barazinë e zyrtarëve të lartë para ligjit.

NË BURG EDHE ISH-ALEATI META

Ish-Presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i PL-së në opozitë, u arrestua me urdhër të SPAK-ut më 21 tetor 2024 për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë. Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-Presidentin Ilir Meta për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje intekonjeksioni, si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi në favor të biznesmenit S.M., i cili sipas SPAK-ut, nuk është nën akuzë pasi çështja është parashkruar.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë, si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019. Ilir Meta është një nga figurat qendrore të politikës shqiptare dhe përgjatë tranzicionit ka mbajtur postet më të larta shtetërore. Në vitin 2004, Meta u largua nga PS dhe themeloi LSI. Më 16 shtator 2009, LSI bëri aleancë me PD-së për të formuar koalicionin qeveritar. Me formimin e qeverisë së re të kryesuar nga Sali Berisha, Meta u bë zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm njëkohësisht.

Më 2011, ai shërbeu si ministër i Ekonomisë në qeverinë “Berisha”, së cilës iu bashkua pas zgjedhjeve parlamentare të 2009-ës. Në prag të zgjedhjeve të 2013-s, Meta dhe LSI u larguan nga koalicioni me PD-në, për t’u bashkuar me PS-në. Rezultati i zgjedhjeve ishte një fitore e Aleancës për Shqipërinë Evropiane. Më 10 shtator 2013, Kuvendi zgjodhi Metën kryetar të Kuvendit dhe më 28 prill 2017, ai u zgjodh President i vendit. Pas largimit nga Presidenca, Meta rimori kontrollin e LSI-së dhe i ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.

RRJETI I ABUZIMEVE TË KRYEBASHKIAKËVE

Bashkitë, në vend që të shërbenin si institucione pranë qytetarëve, janë kthyer në laboratorë të klientelizmit dhe keqpërdorimit të fondeve publike. Në burg ndodhet Erion Veliaj, kreu i bashkisë më ta madhe në vend, Tiranës, i cili akuzohet për korrupsion dhe pastrim, parash e fshehje pasurie. Në qeli ka përfunduar edhe ish-kryebashkiku i Durrësit, Vangjel Dako.

Por historia e arrestimeve të pushtetarëve vendorë vazhdon me ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili u vu në pranga në vitin 2015, nën akuzën e dhënies së lejeve të paligjshme të ndërtimit. Pas Shpëtim Gjikës, ishte radha e Shukri Xhelilit, kryebashkiakut të Dibrës. Ai u vu në pranga në vitin 2016, pas një videoskandali të publikuar në media, ku kërkonte favore seksuale në këmbim të vendit të punës. Po në vitin 2016 u vu në pranga Elvis Roshi, kryebashkiaku i Kavajës. Roshi ishte një person që mbante disa emra, të cilat nuk i kishte raportuar në formularin e dekriminalizimit kur u zgjodh kryetar bashkie.

Një tjetër emër i arrestuar për korrupsion me tenderat është ai i kryebashkiakut të Lushnjës, Fatos Tushe, i cili vijon të jetë pas hekurave prej vitit 2021. Tushe, ashtu si në rastin e Lefter Allës, është një nga kryebashkiakët e arrestuar në detyrë për të njëjtën vepër penale si kolegu i tij në Bulqizë. Në pranga u vu edhe Agim Kajmaku, ish-kryebashkiaku i Vorës.

Teksa i shpëtoi drejtësisë shqiptare për shkak të mashtrimit në formularin e dekriminalizimit, Kajmaku u arrestua në Itali, pasi u kap me mbi 20 kg kokainë. Kërkesë për arrestim u bë nga SPAK-u edhe për kryebashkiakun e Mallakastrës, Qerim Ismailaj, i cili gjithashtu është një nga një nga kryebashkiakët e dënuar jashtë vendit, por që nuk e kishte raportuar në formularin e dekriminalizimit.

Valdrin Pjetri nuk arriti të ulej në karrigen e kryebashkiakut të Shkodrës, pasi dorëzoi mandatin pa e marrë atë, sepse u vërtetua nga prokuroria se ai kishte qenë i dënuar në Itali në vitin 2003. Këtë dënim Valdrin Pjetri e fshehu në formularin e dekriminalizimit, por dorëzimi i mandatit e shpëtoi atë edhe nga ndjekja penale në Shqipëri.

Jorgo Goro ish-kryebashkiaku i Himarës, u arrestua më 23 mars 2024 lidhur me statusin e investimit strategjik të Artan Gaçit, bashkëshortit të ish-ministres së Punëve të Jashtme, Olta Xhaçka. I dënuar është edhe ish-kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj. Ndërkohë që janë të shumtë drejtuesit lokalë që janë nën hetim nga SPAK.

Këto raste janë hetuar nga SPAK dhe kanë sjellë arrestime e dënime që kanë tronditur skenën politike dhe administratën lokale të vendit. Ato pasqyrojnë një situatë shqetësuese në administratën lokale, ku kryebashkiakët janë akuzuar për shpërdorim të fondeve publike dhe lidhje të dyshimta me biznese e individë të afërt, duke vënë në dyshim transparencën dhe integritetin e institucioneve lokale.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës, u arrestua më 8 shkurt 2025 dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie. Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Sipas SPAK, i pandehuri Erion Veliaj ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të, shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar nga bashkëshortja e tij, e pandehura Ajola Xoxa, si edhe individë të afërt me të.

Një tjetër rast i shënuar është ai i ishkryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i cili u arrestua në qershor të vitit 2023 dhe u dënua me 2 vite e 8 muaj burgim me gjykim të shkurtuar. Ish-kryebashkiaku i Durrësit u arrestua në qershor të vitit 2023. Gjykata e dënoi me 2 vjet e 8 muaj burgim Dakon, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar. Ai u gjet fajtor për akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” në bashkëpunim, në dy raste.

I pari lidhet me procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatësh, si dhe me plotësimin e dokumentacionit deri në regjistrimin e pasurisë. Zbardhja e lejes së ndërtimit, sipas prokurorisë, është bërë tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar, duke hartuar më pas në mënyrë fiktive dokumentacionin e kërkuar.

Rasti i dytë lidhet me procedurën e një tenderi për projektin e një shëtitoreje përgjatë bregdetit, me një fond prej 21 milionë lekësh. Sipas hetimit, përllogaritja e fondit limit është bërë në mënyrë të gabuar, duke nxjerrë një vlerë disa herë më të lartë dhe se nuk janë marrë masa për të korrigjuar gabimin, ndonëse ai ishte vënë në dukje nga aktet e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vendimi i gjykatës, i cili parashikon dhe heqjen e së drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5-vjeçare, ishte në linjë me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme. Z.Dako, i cili ka drejtuar qytetin e Durrësit për tri mandate, ka qenë një nga ish-eksponentët e PS-së.

Në vitin 2019 ai u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara për të dhe familjen e tij, pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor. Gentian Llatja i Elbasanit, Armando Subashi i Fierit dhe Emirjana Sako e Durrësit janë kryebashkiakët socialistë që janë akuzuar publikisht për aferën e inceneratorëve. I vetmi që është marrë në pyetje nga SPAK është Subashi.

Rastet e kryebashkiakëve socialistë të arrestuar ose në hetim reflektojnë një fenomen të gjerë të keqpërdorimit të fondeve publike dhe klientelizmit në institucionet lokale. Hetimet e SPAK kanë nxjerrë në pah praktika të shpërdorimit të fondeve, dhënies së lejeve të ndërtimit dhe përfitimeve të dyshimta nga individë të afërt me pushtetarët. Këto raste nuk janë vetëm shkelje ligjore, por kanë tronditur besimin e qytetarëve tek institucionet dhe theksojnë nevojën për reforma të thella në qeverisjen lokale.

VIDEOSKANDALI QË DËNOI GJICIN

Ish-kryebashkiaku i Kukësit, Safet Gjici, u arrestua në 24 qershor 2023, pas publikimit të një videoskandali seksual me protagoniste Alma Kaçin, në këmbim të premtimit për të marrë një tender për strehimin e qenve endacakë. Gjici pretendoi gjatë gjithë kohës se video ishte një kurth ndaj tij, e realizuar nga kundërshtarët politikë. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi deklarimin fajtor të Gjicit për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” lidhur me aferën seksuale në zyrën e tij dhe dënimin e tij me 3 vjet burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet heqje lirie.

TENDERI QË BURGOSI LEFTER ALLËN

Ish-kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla dhe 8 persona të tjerë të u gjetën fajtorë nga Gjykata e Posaçme për akuzat e shpërdorimit të detyrës, shkelje të barazisë në tendera dhe falsifikimit. Lefter Alla dhe 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, kanë rënë në pranga për abuzimin me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Vendimi u dha në 28 dhjetor 2023, ku Alla u dënua me 3 vite burg. Vetë Alla do të shprehej se ai kishte hequr dorë nga benefitet si biznesmen, për t’iu shërbyer qytetarëve të Bulqizës.

KAJMAKU, PROBLEME ME DROGËN

Agim Kajmaku është një prej të zgjedhurve vendorë që është arrestuar në kushtet e flagrancës, pasi i është gjetur një sasi e madhe kokaine në shtetin italian. Ai arrestua më 6 maj të vitit 2020, pasi Prokuroria e Tiranës e kishte shpallur në kërkim prej muajit nëntor 2019 për “Shpërdorim detyre”, “Falsifikim të formularëve”, si dhe një akuzë të tretë për “Kryerje të funksionit pas dhënies fund të tij”. Por, gjykata e liroi pas dy ditësh, duke përdorur si argument ndër të tjera edhe gjendjen e tij shëndetësore dhe caktoi masën e sigurimit personal “Detyrim paraqitje”.

GJIKA, HAMBARI I VOTAVE PËR PS-NË

Shpëtim Gjika, kryetari jetëgjatë i Bashkisë së Vlorës dhe një nga individët që siguronte hambar votash për Partinë Socialiste, u arrestua në vitin 2015 për leje abuzive ndërtimi. Rama, i cili i kishte besuar Gjikës fushatën elektorale parlamentare të vitit 2013, nga ku u zgjodh deputet, u shfaq “i pikëlluar” për fatin e keq të kryebashkiakut. “I dashur Shpëtim, uroj me shpirt që të jesh i pafajshëm”, – deklaroi Rama, ndërkohë që Shpëtim Gjika shkonte i vrerosur drejt hekurave të qelisë.

FATOS TUSHE U PRANGOS NË ZYRË

Fatos Tushe ishte një prej kryebashkiakëve të parë që iu vunë prangat në zyrë, teksa ushtronte detyrën si i pari i qytetit në Lushnje. Gjykata e Posaçme e dënoi Fatos Tushen në vitin 2022 për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke i caktuar 3.6 vite burg. Ishkryebashkiaku Fatos Tushe përfitoi nga gjykimi i shkurtuar duke vuajtur 2 vite e 4 muaj burgim dhe 5 vite jashtë funksioneve publike. Ndërkohë ndaj tij u rrëzua akuza për shkeljen e barazisë në tendera.

DËNIMI I KRYEBASHKIAKUT TË KUÇOVËS

Kryebashkiaku i Kuçovës, Kreshnik Hajdari, u dënua në janar të 2024 me 9 muaj burg për fshehjen e një dënimi në Greqi, në vitin 1999. Dënimi, i ulur në 6 muaj prej gjykimit të shkurtuar, iu konvertua në 150 orë punë në komunitet, ndërsa avokati i tij tha se dënimi nuk ndikon në detyrën e tij në krye të bashkisë. Kallzimet për të i bëri SPAK konkurrenti i tij në garën për bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi.

KRYEBASHKIAKU ERION VELIAJ DHE 13 AKUZAT E PROKURORISË

Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj, u arrestua më 8 shkurt 2025. SPAK-u renditi ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg. Shumica e akuzave është për korrupsion pasiv i kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK-u për korrupsion pasiv në 9 raste, në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave. Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

DAKO, AKUZA PËR VOTA E “NON GRATA”

Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku i Durrësit, ka qenë një nga njerëzit më të besuar të Kryeministrit Edi Rama në qarkun e Durrësit, duke e drejtuar bashkinë për 3 mandate me radhë. Ai ka qenë një nga kryebashkiakët më të akuzuar nga kundërshtarët politikë për manipulimin e zgjedhjeve përmes lidhjeve me bandat, megjithatë ai po përballet me drejtësinë për akuzën e shpërdorimit të detyrës në dy raste, që lidhen kryesisht me projekte në infrastrukturë. Dako u vetëdorëzua në policinë e Tiranës më datë 6 qershor 2023 dhe la qelinë pasi i kishin kaluar afatet e paraburgimit.

GORO U PADIT NGA BELERI

Më datë 23 mars të vitit 2024 u prangos ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro. Hetimet për këtë rast nisën pas një kallëzimi të bërë nga ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, i dënuar më herët nga Gjykata e Posaçme me akuzën e korrupsionit në zgjedhje. Sipas kallëzimit, z.Goro ka përcjellë për regjistrim në ish-ZVRPP (Zyra Vendore e Regjistrimit të Pronave të Patundshme) Vlorë një AMTP (Akt të Marrjes së Tokës në Pronësi) në emër të një banori të Himarës përmes procedurave dhe dokumenteve të falsifikuara.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura