Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike hodhi akuza ndaj Kuvendit duke thënë se është kthyer në një “bunker”, duke mbrojtur Belinda Ballukun, pavarësisht se SPAK ka kërkuar arrestimin e saj.
Në fjalën e tij në Kuvend, Bardhi theksoi se zëvendës kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë akuzohet dhe është nën hetim për 11 procedura tenderuese dhe koncesione që kapin vlerën e 1.1 miliardë eurove, por ajo vazhdon të qëndrojë në detyrë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Sipas tij, këto janë prova të paraqitura nga SPAK në dosjen që ka depozituar në Kuvend, dhe jo sajesa të opozitës, siç pretendon maxhoranca për të justifikuar vjedhjet që ka bërë zëvendës kryeministrja.
“Që prej 19 Dhjetorit, ky Parlament kishte një detyrim shumë të qartë, shumë të thjeshtë. Të panegociueshëm! Të painterpretueshëm: Duhej të vendoste pa vonesë për pranimin ose refuzimin e kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut! Thënë më pak fjalë: ky Kuvend kishte një detyrë të vetme: të mos i fshihej drejtësisë. Por, parlamenti dështoi ta përmbushë këtë detyrim! Zëvendëskryeministrja e pandehur vazhdon detyrën normalisht, e akuzuar dhe nën hetim aktiv për 11 tendera prej 1.1 miliardë euro.
Të gjithë në shkelje të ligjit. Të gjithë të paracaktuar! Herë nga Belinda Balluku. Herë nga Edi Rama. Janë 16 mijë faqe në dosjen e SPAK-ut. Nuk janë deklarata politike të opozitës. Nuk janë sajesa të opozitës. Janë 16 mijë faqe prova të korrupsionit nga maja deri në themelet e qeverisjes. Janë fotografia reale e një qeverie të kalbur, më e korruptuara dhe më e padenja në Europë. Bazuar mbi këtë dosje, kërkesa jonë e përsëritur ishte vetëm një: Mbledhja e Këshillit të Mandateve për t’i hapur rrugë Parlamentit për të vendosur mbi kërkesën e SPAK-ut. Asgjë më shumë. Asgjë më pak.Në respekt të Rregullores, ne e kërkuam këtë mbledhje 5 herë, por Kryetari i Kuvendit nuk u përgjigj. Nuk caktoi datë. Nuk dha shpjegim. Ai thjesht heshti”, tha Bardhi.
Më tej, Bardhi drejtoi gishtin nga kryeministri Edi Rama, teksa tha se Kuvendi po vepron në mbrojtje të Ballukut me urdhër të tij, sepse siç shtoi ai, pas gjithë veprimeve të zëvendës kryeministres së marrë të pandehur qëndron vetë ai.
© Panorama.al











