Kreu i Grupit Parlamentar Taulant Balla tha sot nga Kuvendi në nisje të sesionit të ri parlamentar në emër të grupit të mazhorancës se ftesa për Shqipërinë nga presidenti Donald Trump për Bordin e Paqes në Gaza është moment krenarie dhe veçanërisht ajo personale për kryeministrin Edi Rama, i vetmi lider në Ballkanin perëndimor pjesë e Bordit dhe po aq mik personal i presidentit amerikan, sikurse Erdogan dhe Mitsotakis.
Balla akuzoi opozitën për sjelljen e saj edhe në një moment kaq të rëndësishëm për Shqipërinë, duke i akuzuar se “bëjnë qyqet”.
Socialisti në fund paralajmëroi opozitarët nga salla e Kuvendit se nuk ka më kohë për ta pritur PD për dy Komisionet e Reformës Territoriale dhe Zgjedhore dhe nëse nuk vijnë javën tjetër për punimet, PS do të vijojë e vetme.
Fjala e Ballës në Parlament:
“Edhe pse sesion i ri, shohim prapë zakonin e vjetër, me shpresën se koha do ju bëjë të reflektoni. Kuvendi mblidhet në një moment krenarie për Shqipërinë, që është ftuar të marrë një rol të paimagjinueshëm vite më parë, sikurse është ftesa e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, i cili e ka ftuar personalisht kryeministrin Rama dhe nëpërmjet tij Shqipërinë, t’i bashkohet organizmit ndërkombëtar Bordi i paqes në cilësinë e vendit anëtar themelues. Do vlerësoja që edhe PD apo ajo që ka mbetur nga dikur PD ta vlerësojë këtë moment. Fatkeqësisht për ngjarje të tilla, opozita edhe pse me rol të rëndësishëm, që bëhet e vogël, edhe ndaj këtij lajmi të mirë për shqiptarëve, u ndje përsëri armata e qyqarëve. Që nga e shtuna në darkë filluan të gërthasin, thanë ku është ftesa, s’ka ftesë, na jepni ftesën, duam ftesën. Kur doli ftesa thanë janë të gjitha vendet anëtare të OKB. Më e bukura ishte se thanë se ftesa është e njëjta edhe për presidentin e Argjentinës dhe Paraguajit. Pastaj thanë se ftesa duhej e personalizuar, duke gabuar se dy presidentët në fjalë janë dy miqtë më të afërt të Trump në Amerikë Jugore, ashtu sikurse edhe kryeministri Rama në Ballkanin Perëndimor.
E nuk është e rastit që nuk janë asnjë nga kryeministrat e tjerë të Ballkanit Perëndimor, siç janë dy miq të tjerë, Mitsotakis i Greqisë dhe Erdogan i Turqisë. Por qyqet dolën nëpër të gjitha televizionet, ashtu sikurse dhe trumpisti më i betuar Tritan Shehu që doli në televizion dhe të na shajë SHBA. Edi Rama është partner i besueshëm i SHBA-ve., këto janë dy çështjet në parantezë dhe dëgjoheni mirë, kohë për të humbur me ju kemi zero, nguliteni mirë. Doni reformë territoriale e zgjedhore, hajdeni këtu. Nëse nuk vini javën e ardhshme, jeni të mirëpritur”.
© Panorama.al











