Bekim Bala nuk ka ndërmend të largohet nga Tirana, edhe në rast se do të ketë një ofertë nga një skuadër e huaj. Sulmuesi pohon se ka dëshirë që të mos lëvizë nga kampionati shqiptar, derisa të vijë në formën e tij më të mirë sportive, ashtu sikundër ishte sezonin e kaluar. “Nuk lëviz nga Tirana. Këtu kam firmosur një kontratë për dy sezone dhe normalisht dua të qëndroj, pasi kam shumë nevojë që të luaj dhe të kap edhe një herë formën time më të mirë. Sezonin e kaluar kalova një periudhë shumë të mirë te Vllaznia, e cila ma dha më pas edhe kalimin në kampionatin turk, por fakti që atje nuk u aktivizova më dëmtoi shumë. Një lojtar i ri ka shumë nevojë që të luajë, pasi në të kundërt humbet shumë shpejt. Në këtë kontekst mund të them se vajtja në Turqi nuk është se më bëri shumë mirë, paçka se në momentin kur u largova unë isha në formë të shkëlqyer”, ka pohuar shkodrani. Më tej, Bala ka prekur disi edhe ndeshjen finale të Kupës, duke pohuar se dëshiron ta fitojë me çdo kusht për të mos u zhgënjyer sikundër sezonin e kaluar në finalen me Besën. “Unë e kam humbur një finale Kupe kur luaja vjet me Vllazninë. Sigurisht, Besa e meritoi dhe nuk na vodhi asgjë, por për mua ishte një zhgënjim të cilin nuk dua ta provoj edhe me Tiranën. Në këtë mënyrë, them se skuadra po punon mirë për të fituar në finale me Dinamon. Gjykoj se blutë e kryeqytetit nuk janë në momentin e tyre më të mirë, ndaj ne duhet ta shfrytëzojmë në maksimum këtë gjë. Nuk them se janë skuadër më e dobët se Vllaznia apo Besa e vjetshme, por gjykoj se Tirana e këtij viti është ‘më e uritur’ për të marrë një trofe”, ka vazhduar Bala.











