Bajerni me Realin nuk falin, Interi në krizë

Sep 15, 2011 | 12:32
Bajerni në triumf

Bajerni i Mynihut nuk e ka diskutuar për asnjë moment fitoren përballë spanjollëve të Vilarealit. Bavarezët kanë marrë tri pikë të çmuara në një grup ferri, teksa kanë fituar dje me golat e Toni Kros dhe Rafinjës.Gjermanët kanë konfirmuar se janë pretendentët kryesorë për të kaluar në fazën me eliminim direkt. Ndërkohë, dy skuadrat e tjera në grupin A, Mançester Siti me Napolin, kanë ndarë nga një pikë dje në sfidën e luajtur në Angli. Ndeshja përfundoi në barazim 1-1, me gola të Kolarovit dhe Kavanit. Realit të Madridit i ka mjaftuar një gol i Di Marias në sfidën përballë Dinamos së Zagrebit për të marrë tri pikët dhe kreun e grupit D. Skuadra e drejtuar nga Zhoze Murinjo ka pasur një mori rastesh, por pa mundur të finalizojë si duhet. Kjo më pas solli edhe acarimin e teknikut portugez, i cili e pa nga tribuna ndeshjen, për shkak të pezullimit që ka marrë nga UEFA. Ajaksi me Lionin në të njëjtin grup janë mjaftuar me një barazim 0-0, duke marrë nga një pikë secila. Benfika ka mundur të ndalë Mançester Junajtin në grupin C, pasi ka mundur të marrë një barazim 1-1 përballë djemve të Fergusonit. I pari që shënoi ishte portugezi Kardozo, por për të barazuar rezultatin mendon veterani Gigs, një ndër më të dalluarit dje në fushë. Kreun e grupit e mban Bazeli që mundi 2-1 Otelul Galatin.
Interi
Trajneri Gasperini i ka orët e numëruara. Zikaltrit kanë qenë befasia e mbrëmjes së djeshme teksa janë mundur në shtëpinë e tyre nga turqit e Trabzonsporit. Një paraqitje e dobët e nënkampionëve të Italisë, të cilët, megjithëse kanë krijuar volum loje dhe raste të pastra, nuk kanë mundur të shënojnë asnjë gol, duke pësuar humbjen e dytë radhazi brenda katër ditëve. Në minutat e fundit të ndeshjes tifozët e Interit nisën të fërshëllejnë skuadrën dhe trajnerin e tyre për paraqitjen që po bënin lojtarët në fushë. Media italiane, menjëherë pas ndeshjes, ka dhënë sinjalet se Gasperinin tani mund ta shpëtojë vetëm një seri fitoresh, pasi në rast të kundërt, Morati pritet që ta shkarkojë.

2 humbje
Humbje për katër ditë ka pësuar Interi, gjë që nuk i ndodhte prej vitesh skuadrës zikaltër në një start sezoni. Trajneri Gasperini tani është në rrezik për pankinën.

Kristiano Ronaldo: “Arbitrimi më skandaloz që kam parë ndonjëherë”
Kristiano Ronaldo ka protestuar ashpër ndaj arbitrimit në ndeshjen kundër Dinamos së Zagrebit. Ai u shpreh i indinjuar që gjyqtari norvegjez lejoi ndërhyrje aq të ashpra të kroatëve, pa i ndëshkuar ata. “Ishte një arbitrim skandaloz. Nuk kam parë herë tjetër që të lejohen ndërhyrje aq të ashpra. Gjyqtari Moen nuk duhet lejuar më që të arbitrojë, pasi do të ishte e tmerrshme. Lojtarët kundërshtarë më kanë sakatuar në fushë me ato ndërhyrje dhe ai asnjëherë nuk i ndëshkoi, madje disa herë nuk dha as faull. Nuk e kuptoj pse ndërhyjnë aq ashpër ndaj meje. Me siguri sepse jam i pasur, i talentuar, dhe ata më kanë zili”, deklaroi Ronaldo. Edhe zëvendëstrajneri Aitor Karanka kritikoi ashpër arbitrimin, duke deklaruar se shfaqje të tilla nuk duhet të përsëriten më: “Nëse lojtarët nuk i mbron arbitri, çfarë duhet të ndodhë më pas?”.

© Panorama.al

Te lidhura