
Babai vret të birin me armë zjarri gjashtë muaj pasi ai prishi fejesën. Krimi i rëndë brenda familjes ndodhi dje rreth orës 14:30, kur shtetasi Marash Lulaj vrau djalin e tij 27-vjeçar në tavolinën e bukës. Babë e bir janë grindur teksa po hanin drekë, kur autori i krimit të rëndë, 60-vjeçari Lulaj, mori armën çifte që e mbante në shtëpi dhe qëlloi për vdekje djalin e tij, Edmondin. Policia bëri të ditur se krimi brenda familjes ndodhi në fshatin Sterbeq të komunës Qendër, të rrethit Malësi e Madhe. Blutë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe arrestuan 60-vjeçarin. Ai e ka pritur policinë në banesë, pa tentuar të largohej dhe as t’i bëjë rezistencë prangosjes. Nga hetimet e kryera, bazuar edhe në dëshminë e të afërmve të viktimës, në orët e drekës ai bashkë me të birin janë ulur së bashku për drekë. Djali ka filluar të konfliktohej me babain e tij, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur. Qortimet e të birit e kanë acaruar së tepërmi situatën, aq sa 60-vjeçari është ngritur nga tavolina ku ata hanin drekë dhe, pasi ka marrë një armë zjarri, çifte, e ka qëlluar të birin teksa hante, duke e lënë të vdekur në vend. Burime të Policisë bënë të ditur se sherri mes babait e birit ka qenë mjaft i rëndë. Familjarët e viktimës kanë pohuar se marrëdhënia mes tyre ishte acaruar, pasi 27-vjeçari për motive ende të paqarta kishte vendosur t’i jepte fund fejesës së tij. Por babai e kishte kundërshtuar vendimin e të birit, duke i kërkuar atij gjatë gjithë këtyre muajve të pajtohej me vajzën. “Na ke turpëruar të gjithë fisin. Na ke koritur familjen me këtë veprim. Duhet të pajtohesh me vajzën, pasi kjo që po bën është turp për ne”. Kështu mësohet t’i ketë thënë gjatë të gjithë këtyre muajve Marash Lulaj të birit 27-vjeçar. Por ky i fundit nuk kishte pranuar duke iu hakërryer të atit për mendësinë primitive sipas tij. Pas këtyre zënkave, që precipitonin shpesh në debate të ashpra në familje, mësohet se 60-vjeçari kishte filluar të pinte. Por kjo vetëm sa i ka acaruar situatat familjare, pasi djali 27- vjeçar kishte nisur ta qortonte të atin për konsumin e tepërm të alkoolit. Burime të Policisë bënë të ditur se edhe ditën e ngjarjes, 60-vjeçari kishte akuzuar të birin se ishte bërë pikërisht ai shkaku që ai të pinte raki nëpër fshat. Mësohet se në momentin e krimit, e zonja e shtëpisë është ndodhur në oborr. Ajo ka vrapuar pas krismës së armës, ndërsa është ndeshur me të shoqin në oborr. Ajo është tmerruar kur e ka parë atë me njolla gjaku, ndërsa ai ka mundur të shqiptojë vetëm pak fjalë: kam vrarë Mondin. Policia e sinjalizuar për ngjarjen mbërriti menjëherë në vend dhe arrestoi 60-vjeçarin. Burime të Policisë bënë të ditur se ai ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike, ndaj deri në orët e vona nuk është marrë në pyetje për të zbardhur më tej motivet e këtij krimi të rëndë, që tronditi të gjithë fshatin. Pak ditë në parë, në fshatin Reç të komunës Shkrel të rrethit Malësi e Madhe, u vra për motive pronësie 77- vjeçari Sulejman Velaj, ndërsa autor i ngjarjes ishte kushëriri i tij Myslim Velaj.
SHKODER/ Mister ngjarja. Të arrestuarit mohojnë krimin
Vdekja e rojes së gurores, gjendet një letër lamtumire
SHKODER – Mbetet ende enigmë vdekja e 55-vjeçarit Lazër Jaku, ngjarje e ndodhur dy ditë më parë. Burime nga Policia e Shkodrës bënë të ditur se nisur nga provat materiale të gjetura në vendin e ngjarjes, janë ngritur dy pista, për vrasje dhe vetëvrasje. Mësohet se gjatë marrjes në pyetje të dy personave të ndaluar, 25-vjeçarit Eduard Kola, si dhe 30-vjeçarit Renato Isufi, ata nuk e kanë pranuar autorësinë e vrasjes së rojës së gurores në fshatin Gajtan të komunës Gur i Zi. Ata kanë pohuar faktin se njëri prej tyre ka pasur mosmarrëveshje në lidhje me pengimin e vajzës së tij për t’u fejuar. “Ne nuk mund të arrinim deri aty sa ta vrisnim”, mësohet të kenë pohuar ata gjatë marrjes në pyetje. Burime nga Policia bënë të ditur se si provë për të hetuar mbi pistën e vetëvrasjes shërben një letër e gjetur pranë trupit të 55-vjeçarit, ku ishte e shkruar se “për vdekjen time mos akuzoni asnjë person tjetër”. Kjo letër është dërguar për ekspertizë të mëtejshme pranë laboratorit kriminalistik në Tiranë, për të bërë krahasimin me dorëshkrime të viktimës me atë të letrës të gjetur në vendin e ngjarjes. r.d
MALESI E MADHE/ RIDVAN DIBRA











