Nuk di të thotë arsyen se pse ia vranë të birin. Edhe vetë Fotaq Konomi e ka marrë vesh nga policia humbjen e djalit të vetëm, Skerdilajdit, gjyqtar i Kolegjit për Çështjet Civile në Vlorë.Një natë më parë, ata kanë qenë së bashku, duke darkuar familjarisht në shtëpinë që ndodhet mbi një kodër-shkëmb afër detit, në Ujë të Ftohtë. Ose, siç njihet ndryshe kjo zonë, ish-Kampi i Punëtorëve të Vlorës. Një pronë kjo e trashëguar dhe e rimarrë sipas ligjit nga familja e Konomëve, pas disa vitesh të tëra procesi gjyqësor. Siç tregon vetë Fotaqi, ata kanë biseduar deri pas mesnate dhe më pas, Skerdilajdi është larguar drejt apartamentit të tij, vetëm pak metra larg shtëpisë së prindërve. Ai banonte aty me qira, së bashku me bashkëshorten e tij Enkelejda dhe dy fëmijët, vajzën 4 vjeçe dhe djalin, që erdhi në jetë para 3 muajsh. Kjo darkë familjare ka qenë edhe takimi i fundit babë e bir, për të cilin flet Fotaq Konomi…
Si e morët vesh për vrasjen e djalit?
Me telefon. Më njoftuan nga policia dhe më treguan. Pasi më thanë se kishin vrarë Skerdin, më vonë nuk e mbaj mend se ç’më thanë më. Më ra telefoni nga dora…
Kur është hera e fundit që e keni takuar?
Mbrëmë, ne ishim mbledhur të gjithë në shtëpinë time. Hëngrëm darkë dhe ndenjëm vonë, deri pas mesnate. Biseduam dhe ia kaluam shumë mirë duke qeshur, por ja, ç’të bësh… Pas mesnate, Skerdi iku në shtëpinë e tij për të fjetur. Pas lindjes së djalit mori një apartament me qira, këtu përballë nesh, pasi këtu ishim pak ngushtë dhe si shtëpi është shumë e nxehtë. Kjo ishte dhe hera e fundit që e pashë.
Nuk ju është dukur i shqetësuar, apo të vinit re tek ai se diçka nuk shkonte?
Asnjë gjë. Përkundrazi, dukej i qetë dhe shumë mirë. Kaluam një natë të mrekullueshme, të gjithë… sikur ta dinte që do të ishte nata e fundit.
A jeni në dijeni të ndonjë konflikti të djalit tuaj?
Jo, të asnjë lloji. Skerdi ishte tip shumë i qeshur dhe i dashur, që sado ta ngacmoje, nuk nervozohej. Për këtë mos më pyesni vetëm mua si baba, por kë të dëshironi nëpër Vlorë, që e kanë njohur. Ai dilte lirshëm, lëvizte lirshëm deri natën vonë. Dhe mendoni që në këtë zonë nuk ka ndriçim fare gjatë natës.
Si gjyqtar që ishte, jeni në dijeni se me çfarë çështjesh po merrej së fundmi Skerdilajdi?
Ai nuk bisedonte asnjëherë në familje për çështjet e punës. Gjithnjë flisnim për gjëra që kishin të bënin me familjen ose me të afërmit tanë.
Po ju vetë, keni ndonjë konflikt?
Jo, asnjë. Jemi familje e qetë dhe nuk i kemi rënë më qafë kujt.
Njiheni edhe si pronar i madh tokash, disa prej të cilave ju janë rikthyer së fundmi. A keni pasur problem për marrjen e tyre?
Ato toka apo prona që kemi marrë, dihen nga të gjithë që janë tonat. Ne jemi trashëgimtarë të mëdhenj pronash nga babai e gjyshi, madje ende nuk i kemi marrë të gjitha. Para disa viteve morëm pjesën që na takon këtu tek ish-Kampi i Punëtorëve. Na u rikthye me të drejtë. Përveç zgjatjeve zyrtare të procedurave për kthimin e pronave, ashtu siç ka ndodhur edhe me të gjithë në Shqipëri, nuk kemi pasur konflikte personale me ndonjë njeri.
Së fundmi ju është kthyer edhe një tjetër pronë në Hamallaj, rreth 40 hektarë në korrik të këtij viti, apo jo?
Ajo është trashëgimi nga familja e bashkëshortes sime, nga gjyshja e saj. Ajo u ndoq ligjërisht, ashtu si me pronat këtu në Vlorë dhe Skerdi nuk më ka thënë ndonjëherë se ka pasur probleme me të. As nuk besoj se ka pasur, ndryshe do të ishte ankuar sadopak ose thjesht ta kishte hapur si temë bisede. Vërtet nuk di ç’të them.
Atëherë, nuk keni asnjë lloj të dyshuari se kush mund të jetë autori i vrasjes së djalit tuaj?
Po ta dija se kush ma vrau djalin, beson se do të isha këtu tani…
Po ç’mund të thoni për gjithë këtë ngjarje?
Unë nuk di të them asgjë, por pres të më thonë. Nuk ia kam idenë aspak. Shpresoj që shokët, miqtë dhe kolegët e Skerdit të bëjnë diçka dhe ta gjejnë autorin. Vetëm kaq mund të them. Tani ju lutem më lini të qetë në dhimbjen time dhe ta qaj tim bir…
VLORE/ ELISABETA ILNICA











