Ansi Agolli, Andi Lila dhe Xhevair Sukaj mendojnë se miqësoret e nëntorit ndaj Azerbajxhanit dhe Maqedonisë janë të rëndësishme për Kombëtaren, por kjo do vlente më shumë nëse skuadra do kishte në krye edhe trajnerin e ri. Sakaq, mëngjarashi i Karabakut (Azerbajxhan) u ka kërkuar publikisht falje shokëve të tij të skuadrës në Kombëtare dhe tifozërisë për kartonin e kuq të marrë ndaj Luksemburgut, i cili ndikoi më pas edhe në humbjen që pësoi skuadra jonë. Ndërsa Lila dhe Sukaj kanë dhënë garanci se janë në gjendje optimale fizike dhe do ndihmojnë ekipin me lojën e tyre.
Ansi Agolli – “Dënimi që mora për të mos luajtur dy ndeshjet e fundit me Kombëtaren, më dëmtoi më shumë nga ana psikologjike. Sakaq, mungesa ime ndikoi jo për mirë edhe për skuadrën, pasi fitorja me Luksemburgun mund të ndikonte në plotësimin e objektivave. Meqenëse po më jepet rasti tani, u kërkoj ndjesë të gjithë futbollistëve të ekipit dhe tifozërisë shqiptare, të më ndjejnë për këtë që ndodhi. Ndërsa ndeshjet e tanishme me Azerbajxhanin dhe Maqedoninë janë shumë të rëndësishme, sepse si mund të thuash për ekipin tonë kombëtar ka nisur një erë e re. Është larguar edhe trajneri Kuzhe dhe pritet nga çasti në çast një dorë e fortë e drejtimit të përfaqësueses shqiptare. Më shumë se rezultati, rëndësi në këto miqësore paraqet fakti i mënyrës se si do të luajë ekipi, si do të shprehet ai, si do të harmonizohet. Kemi besim të arrijmë dy fitore”, ka pohuar Agolli.
Andi Lila – “Gjendja fizike imja për momentin është shumë e mirë dhe e kam kaluar tërë këtë kohë pa dëmtime. Në ekipin ku luaj tani në kampionatin grek të futbollit, jam aktivizuar rregullisht dhe në të 90 minutat e lojës. Jam i bindur se në të dyja ndeshjet e tanishme miqësore, me Azerbajxhanin më 11 nëntor dhe Maqedoninë ëe 15 nëntor, do bëjmë një figurë mjaft të mirë. Janë të gjitha shanset që në grumbullimet e tanishme për këto dy miqësore, të hedhim piketa të sigurta për eliminatoret e ardhshme të Kampionatit Botëror. Futbollistët e këtij grupi janë në unison njëri me tjetrin dhe i kanë të gjitha aftësitë që t’i kalojnë me sukses këto dy miqësore”, ka thënë Lila.
Xhevahir Sukaj – “Rikthehem në ekipin kombëtar pas një periudhe 2-vjeçare. Grumbullimi është një privilegj për çdo futbollist shqiptar, është vlerësim që i bëhet futbollistit. Ky rikthim besoj se do të më bëjë më të fortë dhe më profesionist. Jam këtu për të bërë më të mirën, për t’u munduar të jap maksimumin tim nëse më jepet mundësia, sepse të luash për ekipin kombëtar, po e përsëris edhe një herë, është privilegj për çdo lojtar. Nga ekipi i Vllaznisë jam i vetmi lojtar në këtë Kombëtare, ndërsa futbolli shkodran përfaqësohet nga disa protagonistë. Më vjen mirë që vazhdoj traditën më të spikatur të futbollit shkodran”, ka përfunduar Sukaj.
JETMIR HALILAJ











