Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e çështjes për veprat penale “kanosje për shkak të detyrës”, “kundërshtim dhe goditje e gjyqtarit” si dhe “kanosje e gjyqtarit”, ndaj shtetasit Ulian Bajrami.

Procedimi penal lidhet me një ngjarje të regjistruar më 17 tetor 2025 në qytetin e Elbasanit. Pas kryerjes së veprimeve hetimore, organi i akuzës ka vlerësuar se nuk plotësohen kushtet ligjore për vijimin e ndjekjes penale, duke kërkuar pushimin e çështjes.
“Prokuroria e Tiranës kërkon pushimin e cështjes për procedimin penal nr. 7882, të regjistruar për veprat penale ‘Kanosje për shkak të detyrës’, ‘kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit’ dhe ‘kanosjes së gjyqtarit’ ndaj shtetasit Ulian Bajrami për ngjarjen e regjistruar më 17.10.2025 në Elbasan”, thuhet ne njoftimin e Prokurorisë.
Çfarë ndodhi?
Në tetor të vitit të kaluar, një përplasje u regjistrua në seancën gjyqësore mes avokatit Ulian Bajrami dhe prokurorit Gjergji Ceka.
Në audio-regjistrim dëgjohej avokati i cili pretendon se provat ndaj klientit të tij janë të rreme, ndërsa shtonte se do të merrej personalisht me prokurorin dhe do të ngrejë padi ndaj tij.
Më pas dëgjohet gjyqtarja Megi Strakosha, e cila ka tërhequr vëmendjen ndaj gjuhës së pa tolerueshme të përdorur sipas saj në sallën e gjyqit, ndërsa ka paralajmëruar avokatin se nëse do të vijonte me të njëjtën retorikë do të përjashtohej dhe klientit të tij do t’i caktohej një avokat kryesisht.
Avokati: Kërkesa e prokurorit për caktim mase dhe vlerësim arresti bazohet në disa prova, një ndër to tregon se ka pasqyrim të rremë të të dhënave
Do merrem personalisht me prokurorin edhe me oficerët e policisë gjyqësore. Do të bëj kallëzim
Prokurori: Do arrestohet ai
Gjyqtarja: Hera e fundit, nuk funksionon me kërcënim në sallën e gjyqit, nuk ka rëndësi çfarë bëni jashtë kësaj salle, ky lloj komunikimi në sallë me mua gjyqtare nuk lejohet, përqendrohu tek mbrojtja ose të nxjerr përjashta dhe caktoj një avokat kryesisht. Paralajmërimi i fundit.
© Panorama.al











