Avokati: GJKKO ka të drejtë të pezullojë ministrin, Kryeministri po mbron të pandehurën Balluku! Ja çfarë ndodh në Kushtetuese

Dec 2, 2025 | 14:55

Gjykatat mund ta pezullojnë një ministër kur plotësojnë tre kushtet e rrezikshmërisë dhe këtë e thotë edhe Komisioni i Venecias në një opinion të saj të vitit 2020. Edhe për rastin e ministres Belinda Balluku këto tre kushte sipas GJKKO dhe SPAK i ka plotësuar duke ngritur dyshimin e arsyeshëm.

balluku ne spak belinda balluku spak inceneratori i tiranes deshmia e ballukut (10)

Kështu u shpreh sot avokati pranë Partisë Demokratike, Marash Logu, në lidhje me çështjen e zëvendëskryeministres që është marrë e pandehur dhe është pezulluar për abuzim me tenderimet.

Sipas juristit, kryeministri Edi Rama po gënjen duke përdorur si referencë Venecian dhe Strasburgun, pasi nuk ka asnjë opinion apo vendim ku ndalohet pezullimi i ministrave.

“Gjykata nuk ka shkarkuar apo emëruar ministra apo zv/kryeministra. A keni dëgjuar ju që ta ketë bërë këtë? Gjykata ka të drejtë të vendosë masat e sigurimit. Ka kryeministri kompetenca të vendosë masa? Jo. E paprecedentë që kryeministri bëhet avokat i të pandehurës Belinda Balluku. Kryeministri po mbron të akuzuarën për korrupsion”, tha ai për “News 24”.

Logu shpjegoi edhe se çfarë do të ndodh tani me kërkesën e Kryeministrisë për të rrëzuar pezullimin që ka vendosur GJKKO.

“Kolegji shqyrton nëse kërkesa plotëson kushtet. Ndaj është vendosur t’i kalojë çështja Kolegjit për të vlerësuar nëse i përmbush kushtet e pranueshmërisë. Pasi vendos nëse po apo jo, atëherë kalon në shqyrtim ose jo. Nëse kërkesa përmbush kushtet, atëherë shqyrtohet edhe thelbi i saj”, u shpreh juristi.

logu

Logu iu referua edhe precedentit më të fundit, arrestimit të Federica Mogherinit në Bruksel, duke shtuar se askush nuk ka dalë të sulmojë gjykatën, siç ndodh me rastin Balluku në Shqipëri.

“Kemi rastin e Federika Mogerinit sot në Bruksel, që është arrestuar dhe nuk dëgjuam asnjë deklaratë nga Ursula von der Leyen që të bënte deklaratë apo ta merrte në mbrojtje vartësen e saj. Askush nuk tha se po ndërhyn gjykata”, u shpreh avokati.

Kurse për pretendimet e qeverisë me Venecian dhe Strasburgun, ai shpjegoi:

“Kryeministri kur i referohet Venecias dhe Strasburgut duhet të japë datën, emrin dhe numrin e çështjes. Nuk ekziston asnjë rast që është e thënë apo vendosur që Gjykata nuk pezullon ministrin. Pra Venecia nuk ka thënë që Gjykata s’mund të pezullojë ministrat. Kjo mund të verifikohet edhe duke hyrë në faqen e Komisionit të Venecias dhe ta shikojë, madje atje thuhet edhe se Gjykata mund ta vendosë këtë masë kur plotësohen tre kushte, kur rrezikohen provat. Bëhet fjalë për opinionin e Venecias për Kosovën në vitin 2020 si precedent. Nuk mund të spekulohet apo të gënjehet me Venecian dhe Strasburgun, sepse gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Nëse kryeministri dhe stafi i tij ligjor do kishin argumente apo opinionet e Venecias dhe vendimit të Strasburgut për raste të ngjashme, do i kishte përfshirë në këtë ankimim të dërguar në Kushtetuese”, nënvizoi juristi.

Logu tha se Balluku duhet të ishte dorëhequr, teksa mundësinë që Kushtetuesja të shfuqizonte pezullimin e ministres, e shikonte si një mundësi që do kërkonte menjëherë kërkesën e GJKKO për ta ashpërsuar masën deri në “arrest me burg”.

balluku gjykata kushtetuese

Sipas juristit, po t’i referohesh precedentëve të tjerë me zyrtarët e lartë socialistë, duke parë edhe provat për çështjen Balluku në aktet e dosjes, duhet që GJKKo të kishte vendosur arrestin me burg ndaj saj.

“Një ministër i pandehur nuk mund të qëndrojë në detyrë. PD, kryetari Berisha dhe deputetë të tjerë kanë dhënë precedentë të shumtë të ministrave të pandehur që janë dorëhequr apo shkarkuar. Balluku le të ndjekë shkallët e gjyqësorit me apelime dhe ankimime, nuk ka pse investohet tek kryeministri Edi Rama. Kryeministri kërkon të japë mesazhin se kabineti i tij është i paprekshëm dhe po i bën luftë drejtësisë. Unë mendoj se GJKKO duhet të kishte kërkuar “arrest me burg” për Ballukun, pasi plotësoheshin kushtet dhe për më tepër po të shohësh precedentët e kaluar. Madje nëse Gjykata Kushtetuese e shfuqizon masën e pezullimit, unë mendoj që GJKKO të kërkojë masën “arrest me burg”, pra më shtrënguese. Balluku po hetohet edhe për çështje të tjera nga SPAK, ndërsa me masën e pezullimit nuk i preket aspak mandati i deputetes. Por GJKKO e ka arsyetuar masën që ka vendosur”, tha Logu.

Balluku-GJKKO-vendimi_Belinda-Masa-Ministrja-Infrastruktura (10)

Juristi theksoi se kolegji ka pasur dyshime lidhur me plotësimin e kushteve të pranueshmërisë, kurse pikëpyetja kryesore lidhet me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese.

“Për t’u investuar GJK, duhet të ekzistojë një konflikt juridik për kompetencat midis Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së. Në këtë rast, një konflikt i tillë nuk ekziston. Gjykata nuk ka emëruar apo shkarkuar ndonjë ministër, por ka vendosur masë sigurimi, pezullim nga funksioni publik, kompetencë që i takon vetëm gjykatës. Kryeministri nuk ka të drejtë të vendosë masa sigurimi, prandaj nuk ka kompetencë të cenuar”, u shpreh Logu.

© Panorama.al

Te lidhura