
Kosovë, letra e kreut të AKP-së: “Më shkatërruan jetën, ja zgjidhja ime”
Autopsia e trupit të kreut të Agjencisë së Privatizimeve në Kosovë, Dino Asanaj, ka dalë në përfundimin se ai ka vrarë veten. Raporti i autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore është hartuar dhe ai do t’i përcillet ditët e ardhshme Prokurorisë së Shtetit. Një zyrtar i lartë i këtij institucioni tha për “Express” se, sipas ekzaminimeve, kreu i AKP-së ka vrarë vetën. Sipas zyrtarit të mbetur anonim, në trupin e Asanajt janë gjetur 11 plagë, 9 në gjoks dhe 2 në fyt. Të gjitha të shkaktuara nga një mjet i mprehtë, që dyshohet të jetë thikë. “Fatale ka qenë goditja në gjoks, afër zemrës”, ka saktësuar ai. Ndërsa burime të gazetës “Koha Ditore” thonë se në trupin e të ndjerit ka pasur një therje fatale me thikë në zemër dhe në mushkëri, ndërsa në pjesën e fytit ka pasur disa prerje të lehta. Një ekspert, që ka marrë pjesë në autopsi, ka thënë se rezultati i saktë është ky, dhe se përvojat tregojnë se ka raste kur njeriu ka goditur veten me thikë deri në 12 herë. Në autopsi kanë marrë pjesë ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Dyshohet se arsyet që çuan në vetëvrasjen e kryetarit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj, ishin shantazhet që kishin të bënin me punën e tij. Në zyrën e të ndjerit Dino Asanaj, policia ka gjetur një letër në dorëshkrim, e cila të bën të mendosh se bëhet fjalë për vetëvrasje. “Remzi Ejupi, gazeta ‘Zëri’ dhe Abdurrahman Konjufca ma kanë shkatërruar jetën dhe familjen time dhe unë vendosa ta zbatoj ligjin duke vepruar kështu”, shkruhet në letrën që duket se është nënshkruar nga vetë Asanaj. Remzi Ejupi dhe Abdurrahman Konjufca e kishin akuzuar të ndjerin se u ka kërkuar para. Ejupi e ka akuzuar atë se i ka kërkuar mbi 4 milionë për t’ia dhënë hotelin “Grand”, ndërsa Konjufca e ka akuzuar se i ka kërkuar para për një fermë pulash në Lipjan. Burime brenda Policisë kanë thënë se trupi i Asanajt, pothuajse pa shenja jete, ishte gjetur nga shoferi i tij mesditën e së enjtes dhe se ai nuk i kishte mbijetuar plagëve, por vdiq në spital. Letra u dërgua për ekspertizë grafologjie për të vërtetuar nëse shkrimi dhe nënshkrimi ka autorë Dino Asanaj. Para përfundimit të autopsisë, ekspertët e fushës thanë se ishin shumë plagë në trup për të mbështetur variantin e vetëvrasjes, por më pas, në raportin përfundimtar, ata dolën në përfundimin se ish-kreu i AKP-së ishte vetëvrarë.
Reagimi i biznesmenit Ejupi
Biznesmeni Remzi Ejupi ka reaguar pas lakimit të emrit të tij në media, në hetimin për vdekjen e kreut të AKP-së, duke deklaruar se “Me keqardhje mbi lajmin për vrasjen makabër të z. Dino Asanaj, i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij”, shkruan në reagimin e tij Ejupi. Megjithatë, lidhur me akuzat e tij të mëparshme se zoti Asanaj i kishte kërkuar 4 milionë euro për procedurat e privatizimit të hotel “Grand”, ai tha se nuk i hedh poshtë ato deklarata. “Ftoj të gjithë që të presim rezultatet e hetimeve dhe të mos e shfrytëzojnë vdekjen tragjike të të ndjerit Asanaj për përfitime personale apo për të shitur gazetën”, tha ai.











