Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka ngritur shqetësimin e auditimit të financimit të partive politike, që sipas tij shpesh bëhet në mënyrë formale.
Në tryezën e konsultimit mbi reformën zgjedhore, Celibashi deklaroi se mbi 50% e partive të regjistruara nuk marrin pjesë në zgjedhje, ndërsa nga 135 parti, 84 prej tyre nuk kanë dorëzuar raportin financiar për 2024.
“Mbi 50 % e partive të regjistruara nuk kanë marrë pjesë në 4 proceset e fundit zgjedhore. Në 135 parti të regjistruara 84 prej tyre nuk kanë dorëzuar raportin financiar për 2024. Kjo situatë tregon se auditimi realizohet në mënyrë formale, burimet administrative shpërndahen mbi subjekte pa aktivitet politik real. Fokusimi tek partitë me ndikim real politik është i dobësuar” ,deklaroi Celibashi.
Ai tha më tej se KQZ ka evidentuar nevojën për kalimin drejt auditimit të bazuar në aktivitet financiar, status aktiv dhe përfitim fondesh publike kryesisht.
“Kontrolli financiar duhet të përqendrohet tek partitë me aktivitet financiar real, subjektet që përfitojnë fonde publike dhe rastet me indikator risku. Kjo sipas nesh do të rrisë eficencën e mbikëqyrjes së financave. Ne disa raste partitë politike nuk janë audituar, për shkak të paaftësisë paguese të partive politike. Kjo krijon konflikt interesi dhe cënon pavarësinë e auditimit. Ndaj rekomandohet që audituesi të trajtohet nga KQZ”, tha ai, duke theksuar se “rekomandohet harmonizim i sanksioneve administrative”.
© Panorama.al











