Atentati ndaj gjyqtarit, KLD: Shteti të veprojë

Sep 9, 2011 | 12:07

TIRANË- Sulm mafioz dhe goditje për sistemin e drejtësisë e ka quajtur numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu atentatin ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, duke kërkuar reflektim të shtetit, jo vetëm për gjetjen dhe dënimin e merituar të autorëve, por angazhim për mbrojtjen dhe sigurinë e tyre.

Gjatë një deklarate për mediat, pas ngjarjes, Spahiu shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës, baba i dy fëmijëve, duke e vlerësuar atë si një nga prurjet me te mira dhe cilesore te gjenerates së shkollës së magjistraturës. “Gjej rastin të shpreh se ky akt është në vazhdën e disa ngjarjeve kundër gjyqësorit gjatë viteve të fundit, duke përbërë një rast të paprecedentë në drejtësi që nga koha e Ismail Qemalit.

Shqipëria synon të jetë pjesë e BE dhe jo kthim në Sicilinë e 50 viteve më parë ku drejtësia gjunjëzohet përballë veprave mafioze”- tha ai.

Sipas Spahiut,  shteti që s’mund të garantojë jetën e gjyqtarëve nuk mundet të japë garanci për jetën e qytetarëve të thjeshtë dhe dhënien e drejtësisë nga ata që kërcënohen dhe humbasin jetën rrugëve.

“Kjo cështje të trajtohet me prioritet maksimal nga organet hetimore dhe të gjendet e dënohen autorët. Akti mafioz është goditje për sistemin e drejtësisë, sulm i egër që duhet të sjellë reflektim të shtetit për veprime që duhet të merren në të ardhmen në mbrojtje dhe sigurinë e jetës së qytetarëve”- tha ai.

 

© Panorama.al

Te lidhura