Armand Duka është zgjedhur për herë të shtatë në krye të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Vendimi u mor me votë unanime nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote, ndërsa procesi u zhvillua në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.
Kujtojmë që Armand Duka ishte vetëm në garë, pasi nuk kishte asnjë kandidat përballë tij.
Në fjalën e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore, Presidenti Armand Duka paraqiti një panoramë të plotë të arritjeve, sfidave dhe objektivave strategjikë të Federatës Shqiptare të Futbollit, duke theksuar se institucioni hyn në një fazë të re konsolidimi dhe rritjeje të qëndrueshme.
Presidenti Duka theksoi rëndësinë e miratimit të ligjit të sponsorizimit, rritjen e pranisë së tifozëve në stadiume, si dhe nevojën për mbështetje më të madhe institucionale për infrastrukturën sportive, duke e konsideruar sportin prioritet publik.
Në të njëjtën kohë, Presidenti evidentoi progresin e ekipeve kombëtare, zgjerimin e përfaqësimit ndërkombëtar të Shqipërisë në strukturat e UEFA dhe FIFA, si dhe organizimin me sukses të eventeve madhore europiane, që kanë rritur imazhin e vendit në arenën sportive.
“Arritja në play-off për Kupën e Botës 2026 është rezultat i një procesi të ndërtuar me stabilitet, durim dhe besim te filozofia jonë e punës. Sot kemi shansin më të madh në historinë tonë për të shkuar në finalet e një Botërori si një ekip që ka treguar se di të përballet me presionin, di të garojë në nivele të larta dhe mbi të gjitha di të përfaqësojë Shqipërinë me dinjitet”, tha Duka.
© Panorama.al












