Ashton në Kosovë, kërkoi sukses në bisedime e respekt për EULEX-in

May 28, 2011 | 9:57
Ashton dhe Thaçi dje në Prizren

Shefja e Diplomacisë së Bashkimit Europian, Katerin Ashton, mbështeti aspiratat e Kosovës për integrim gjatë vizitës së saj të dytë në Kosovë. Ajo shfaqi shpresën që brenda BE-së mund të gjenden mënyra, të cilat do t’i mundësonin Kosovës dhe Serbisë të zhvillojnë marrëdhënie mes tyre. Deklarata e kryediplomates europiane u bë pas një dreke pune në Prizren më Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ashton tha se varet nga Prishtina e Beogradi që, në kuadër të dialogut, të gjejnë marrëveshje për çështjet praktike. “Mendoj se duhet të kemi një perspektivë paraprake për Kosovën dhe një në të cilën do ta shohim Bashkimin Europian të luajë pjesën më të rëndësishme”, tha Ashton. Sipas Thaçit, gjetja e zgjidhjeve ndërmjet palës kosovare e asaj serbe duhet të bëhet sipas një modeli europian. “Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të përgjegjshëm dhe krijues, në mënyrë që çështjet që janë ende për t’u zgjidhur, të zgjidhen sa më shpejt”, tha Thaçi. Por ai pranoi se Kosovës, si vendi i fundit që ka dalë nga ish-Jugosllavia, do t’i duhet kohë për të përmbushur kriteret, të cilat i kanë përmbushur tashmë vendet e tjera në rajon. Ashton ka mbështetur misionin EULEX në Kosovë dhe theksoi se për vendin është shumë i rëndësishëm sundimi i ligjit. “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë ne ta mbështesim misionin, siç bëjmë ne në Bashkimin Europian, dhe të njohim rëndësinë e punës që është duke u bërë”, theksoi ajo. Ashton ka takuar edhe kryenegociatoren e Kosovës për dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, së cilës i ka transmetuar shpresa për arritjen e një marrëveshjeje me ekipin serb.

© Panorama.al

Te lidhura